Aktualitet Qeveria propozon ndryshimin e Kodit të Familjes: Mund të birësojnë fëmijë jo...

Qeveria propozon ndryshimin e Kodit të Familjes: Mund të birësojnë fëmijë jo vetëm të martuarit, por edhe ata që bashkëjetojnë ose një person i vetëm

Maxhoranca ka depozituar në Kuvend një projektligj të ri për ndryshimin e Kodit të Familjes si dhe një projektligj për birësimin. Në propozimin e shumicës parlamentare u njihet e drejta personave që nuk janë të martuar të bëjnë birësimin e të miturve.

Sipas legjislacionit aktual, specifikisht Kodit të Familjes sanksionohet se vetëm një çift bashkëshortësh të martuar ka të drejtë të birësojë një fëmijë të mitur.

Ndërkohë që në propozimin e ri të Qeverisë theksohet se kjo e drejtë u njihet edhe personave single apo personave që bashkëjetojnë dhe këtë e kanë të ligjëruar me një kontratë noteriale.

Neni 242 i Kodit aktual të Familjes theksohet se: “I mituri nuk mund të birësohet nga shumë persona, përveç rastit kur ata janë bashkëshortë”.

Ndërkohë që në propozimin e ri shtohen edhe birësimi nga një person i vetëm apo një nga çift që bashkëjeton prej 3 vitesh.

“Neni 242 i mituri mund të birësohet nga një person i vetëm ose nga persona që janë bashkëshortë ose bashkëjetues sipas përcaktimeve të nenit 163, të këtij Kodi, që kanë bashkëjetuar në mënyrë të qëndrueshme dhe të vazhdueshme për të paktën 3 vjet”, thekson propozimi i ri i qeverisë.

Në nenin 163 të Kodit aktual të Familjes specifikohet dhe kuptimi i bashkëjetesës: “Bashkëjetesa është një bashkim fakti midis burrit dhe gruas që jetojnë në çift, e karakterizuar nga një jetë e përbashkët, që paraqet një karakter stabiliteti dhe vazhdueshmërie”.

Në relacionin e projektligjit sqarohen arsyet pse propozuesit e nismës kanë lënë të hapur mundësinë që dhe bashkëjetuesit të birësojnë. Në draft sqarohet se shoqëria shqiptare po evoluon dhe për rrjedhojë i njihet e drejta dy heteroseksualëve të birësojnë një fëmijë, edhe pse këta s’janë të martuar.

Ndërkohë që nuk sqarohet në asnjë resht futja e konceptit të birësimit nga një person i vetëm.

“Neni 2, i projektligjit, ndryshon nenin 242 të Kodit të Familjes, duke përcaktuar kategoritë e subjekteve që mund të birësojnë, duke përfshirë këtu edhe bashkëjetuesit, që janë në kushtet e bashkëjetesës për të paktën 3 vjet.

Nisur nga evoluimi i shoqërisë shqiptare drejt pranimit të bashkëjetesës jashtë martesës, nga rritja e numrit të bashkëjetesave, si edhe nga fakti që bashkëjetesa e vazhdueshme dhe e qëndrueshme e një burri dhe një gruaje njihet si formë e krijimit të familjes nga legjislacioni shqiptar, është vlerësuar nga hartuesit e këtij projekt-akti t’u njihet e drejta për të birësuar një të mitur së bashku edhe dy bashkëjetuesve heteroseksualë, që janë të angazhuar në një bashkëjetesë të vazhdueshme dhe të qëndrueshme, sipas kuptimit që neni 163 i Kodit i jep bashkëjetesës.

Kjo zgjidhje është në përputhje me standardet e vendosura nga Konventa e rishikuar e KiE-së “Për birësimin e fëmijëve”, e vitit 2008. Sipas pikës 2, të nenit 7, të Konventës, shtetet janë të lira ta shtrijnë birësimin edhe për çiftet heteroseksuale që bashkëjetojnë në një bashkëjetesë të qëndrueshme. Kjo nuk është një normë detyruese e Konventës”, thuhet në relacionin e propozimit për ndryshimin e Kodit të Familjes.

VOTIMI

Kodi i Familjes është ndër nismat që kërkojnë konsensus me maxhorancës dhe opozitës në Kuvend, pasi mund të ndryshohet me 84 vota. Burime të Panorama.al nga opozita bënë të ditur se kjo nismë është shqetësuese pasi synon të asgjësojë konceptin e familjes, duke i lejuar birësimin nga një person i vetëm apo nga persona që nuk janë të martuar ligjërisht, por që bashkëjetojnë në bazë të një marrëdhënie noteriale.

Kjo nismë pritet të shoqërohet me debate në Parlament, pasi sipas burimeve pranë opozitës i lë shteg kërkesës së vjetër të komuniteteve të caktuara për të birësuar.

Ditë më parë është shoqëruar me mori komentesh futja e konceptit “Prindi 1” dhe “Prindi 2” në disa formularët e aplikimit të publikuara nga Pastori Akil Pano. Dalja në publik i këtyre formularëve ka shkaktuar reagime të komuniteteve fetare dhe qytetarëve, ndërkohë që institucionet vendase kanë mohuar ekzistencën e tyre. Futja e konceptit “Prindi 1” dhe “Prindi 2” në vend të “Nëna” dhe “Babai” është një kërkesë e propozuar nga komuniteti LGBTQI./ Panorama