Një përplasje është regjistruar mes banorëve të “5 Majit” dhe një grupi elektricistësh të cilët kishin shkuar në zonë për të bërë çinstalimet para se të ndërhyjnë fadromat për prishjen e shtëpive.
Banorët janë të vendosur të bëjnë rezistencë për të mos lejuar shembjen e banesave pa pasur një kontratë nga Bashkia e Tiranës.
Banorët kanë ndaluar inspektorët dhe prishjen e banesave të tyre për të cilët kanë investuar një jetë të tërë.
Ndërsa policia ka kërkuar të hapet rruga për të kaluar mjetet dhe i kërcënuan me procedim penal, por banorët nuk janë tërhequr.
“Fëmijët na pyesin: Babi do na prishin shtëpinë? Ku do të shkojmë?”, tha njëri nga banorët. Ndërsa disa të tjerë paralajmëruan se “nuk hapim rrugën për mjetet e IMT-së. IKMT pa shkelë mbi ne nuk ka për të hyrë“.
Në vendngjarje ndodhen edhe përfaqësues të Avokatit të Popullit.