Aktualitet Detaje të reja për vrasjen e ish-policit në Laç, shkak mund të...

Detaje të reja për vrasjen e ish-policit në Laç, shkak mund të ketë qenë i biri

Detaje të reja kanë dalë për vrasjen e 60-vjeçarit Xhelal Reçi, mëngjesin e së hënës në qytetin e Laçit.

Policia dyshon se ish-efektivi i policisë është ekzekutuar për shkak të të birit të tij Besnikut, i cili njihej si problematik në zonë.

Kjo është pista kryesore ku po hetohet për momentin, ndërsa po krijohen lidhjet me atentatin e dështuar për eliminimin e tij fizik të një viti më parë.

Sipas të dhënave Besnik Reçi kishte krijuar konflikte me shumë persona në Laç e më gjerë. I ati, me eksperiencën e ish-policit është munduar disa herë për të shuar problemet e të birit dhe ka ndërhyrë tek personat me të cilët ka pasur probleme, por siç duket nuk ia ka dalë.

60-vjeçari Xhelal Reçi u ekzekutua me armë zjarri në orët e para të mëngjesit ndërsa po shkonte në biznesin e tij, ndërkohë që një makinë e djegur u gjet disa momente më pas dhe mendohet se iu përkiste autorëve.

Në ekzekutimin e ish-policit, Xhelal Reçi kanë marrë pjesë dy persona.

Vendi i krimit është i monitoruar nga kamerat, të cilat mund të ndihmojnë hetuesit për zbardhjen e ngjarjes.