Fabio Capello ka komentuar në mikrofonat e “Radio Anch’io Sport” ndeshjen e së dielës mes Romës dhe Milanit, duke nxjerrë në pah soliditetin e kuqezinjve dhe gjithashtu episodin e penalltisë.
Ish-trajneri i verdhekuqve e pa Milanin shumë koheziv: “Ishte një ndeshje shumë e mirë, Milani e meritoi fitoren. Kuqezinjtë dukeshin më shumë ekip dhe ishin të bindur në forcën e tyre. Roma ishte e pafat. Është e kotë të flasim për penalltinë. Është e vërtetë që lojtari i Milanit (Ibrahimovic) është prekur, por futbolli nuk është basketboll, nuk është lojë pa kontakt. Propozimi im është të vendosim një ish-lojtar pranë VAR-it që të mund t’i diskutojë këto situata”.
Për portugezin nuk është një moment i lehtë, por Capello e sheh Josè Mourinhon perfekt për verdhekuqtë: “Ai është shumë i përshtatshëm për Romën, një mjedis që emocionohet dhe dëshpërohet në një kohë shumë të shkurtër. Ai është njeriu i duhur për një realitet si ky”.
Duke kaluar tek Juventusi, Capello zbuloi një histori me trajnerin aktual bardhezi, Massimiliano Allegri: “I kisha sugjeruar Allegrit të mos kthehej, sepse e parashikova që ai do të bëhej ombrella e të gjitha telasheve. Lojtarët nuk po e shprehin dot gjithë potencialin e tyre. Mund ta shihni këtë qartësisht në fushë dhe fajësohet trajneri, i cili kishte dy vite jashtë fushës. Nuk është një situatë e lehtë për t’u përmbysur”.