Bota Në Rusi shkretëtira e parë europiane, e shkaktuar nga ndryshimi i klimës

Në Rusi shkretëtira e parë europiane, e shkaktuar nga ndryshimi i klimës

Pas çdo vere, Svetlana Bodzhaeva bën një udhëtim katër orë me makinë duke përshkuar rrugët me plot pengesa. Ajo përshkon stepat e republikës jugore të Rusisë të Kalmykia për të inspektuar dëmet e shkaktuara nga ndryshimet klimatik.

Bodzhaeva, eksperte për menaxhimin e tokës së thatë, inspekton shkurret e mbjella nga ekipi i saj në një përpjekje për të ndaluar përhapjen e dunave që rrethojnë qytetin e Berginit, i populluar nga disa qindra njerëz, kryesisht blegtorë. Të mbështetura nga një valë thatësire gjatë stinës së verës, dunat e rërës kanë pushtuar vitet e fundit gjithnjë e më shumë stepat e zonës në atë që disa ekspertë e quajnë “shkretëtira e parë e Europës”.

“Këtu duhet të ketë zona të hapura me rërë. Tani shkurret e mbjella Calligonum kanë bërë punën e tyre, kanë ndaluar lëvizjen e rërës. Kjo vatër shkretëtirëzimi do ta kishte mbuluar tërësisht fshatin Bergin me rërë brenda pak vitesh. Mund të thuash se e shpëtuam fshatin nga rëra”, thotë Svetlana Bodzhaeva, eksperte e menaxhimit të tokës.

Të shtyrë nga erërat, ata shpesh kapërcejnë disa rrugë që të çojnë në fshat, duke i lënë vendasit të shkëputur nga bota e jashtme. Ndërsa Rusia përgatitet për samitin e klimës COP në Glasgoë, politikëbërësit e saj do të kenë parasysh Bergin si një nga qindra qytetet në të gjithë vendin që kërcënohen nga rritja e temperaturave, nga Arktiku verior deri në brezin jugor. Për shkak të gjerësisë së saj veriore, ekspertët thonë se temperaturat në Rusi po ngrohen me dyfishin e mesatares globale, duke i vendosur shumë nga njerëzit e saj në vijën e parë të betejës botërore kundër ndryshimeve klimatike. Sipas Alexander Kladiev, ekspert veteran i thatësirës, dunat janë të nxitura nga erozioni i tokës i shkaktuar nga mbikullotja.

“Problemi i shkretëtirëzimit është vërtet i madh për shkak të dy viteve të fundit që kanë qenë të thata; kullotja e tepërt nga bagëtia që tejkalon çdo normë; dhe më e rëndësishmja, kullotat nuk po rinovohen”, thotë Alexander Kladiev, ekspert i dherave dhe thatësirës.

Bagëtitë e shumta të rajonit shkelin tokën e brishtë, duke e lënë atë të pambrojtur ndaj elementeve dhe duke penguar që bimët të lëshojnë rrënjë. Blegtoria është një shtyllë tradicionale e ekonomisë lokale. Vendasit tregojnë për thatësirën që ndodhi në verën e vitit 2020 si më e keqja në dekada; me mijëra bagëti të ngordhura nëpër stepë për shkak të mungesës së ushqimit pas muajsh të tërë pa shi.

“Ishte e tmerrshme të shikoje bagëtinë. Ata kërkonin bar, por nuk kishte fare. Kur ecje me makinë në stepë do të shihje trupat e pajetë të kuajve, lopëve, deveve, të shtrira kudo. Ishte me të vërtetë e frikshme”, shprehet Ulyumdzhi Mukabenov, bari.

Për të ndihmuar barinjtë të kapërcejnë thatësirën, qeveria rajonale shpalli gjendje të jashtëzakonshme dhe siguroi rreth 562 milionë rubla ndihmë. Muajin e kaluar, qeveria ruse hartoi një strategji më agresive; për herë të parë vendosi një objektiv neto të emetimeve zero të karbonit deri në vitin 2060.