Britania i dha të hënën Francës 48 orë kohë që të lëshojë licenca peshkimi për anijet e saj ose situata rrezikon të përshkallëzojë drejt luftës tregtare.
Franca pretendon se është Londra që po u lëshon anijeve franceze gjysmën e licencave për të operuar në ujërat britanikë, ndaj ka paralajmëruar që nga e marta mund të bllokojë portet dhe të forcojë kontrollet për mjetet angleze.
Britania thotë se po pajis me licenca anijet që provojnë se kanë peshkuar edhe më parë në ujërat e vendit.
“Pala franceze ka lëshuar kërcënime tërësisht të paarsyeshme, për Kanalin e La Manshit dhe ndaj industrisë tonë të peshimit. Duhet të tërhiqet ose do i kundërpërgjigjemi me mekanizmat sipas marrëveshjes tregtare me BE-në,” deklaroi Liz Tras, ministrja e Jashtme.
“Nuk e dua përshkallëzimin por duhet të bëhemi seriozë. Kemi 10 muaj që punojmë bashkë dhe pala tjetër nuk po i zbaton disa pika. Me kryeministrin Boris Johnson ramë dakord që të tregojmë vullnet të mirë duke dalë fillimisht me një zgjidhje afatshkurtër,” shtoi edhe presidenti francez, Emmanuel Macron.
Debati për të drejtat e peshkimit në ujërat britanikë vazhdon prej vitesh mes Francës e Britanisë dhe ishte ndër arsyet për zgjatjen e negociatave për paktin tregtar pasi kjo e fundit doli nga Bashkimi Europian pas 47 viteve.
Londra është shprehur se tensionet e tanishme mund të jenë nxitur politikisht nga Franca që vitin e ardhshëm gatitet edhe për zgjedhjet presidenciale.