Bota Paralajmërimi i fortë i shefit të OKB-së: Ne po hapim varret tona....

Paralajmërimi i fortë i shefit të OKB-së: Ne po hapim varret tona. Mjaft e trajtuat natyrën si tualet

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara António Guterres përforcon reputacionin e tij si një nga avokatët më të zëshëm për veprime urgjente për uljen e emetimeve të gazrave serrë. Në konferencën e COP26 në Glasgow ai tha se “varësia jonë ndaj lëndëve djegëse fosile po e shtyn njerëzimin në greminë”.

“Ose e ndalojmë ose na ndalon. Dhe është koha për të thënë, mjaft. Mjaft vramë veten me karbon. Mjaft duke e trajtuar natyrën si një tualet. Mjaft duke djegur, shpuar dhe minuar rrugën tonë më thellë. Ne po gërmojmë varret tona”, tha sekretari i përgjithshëm i OKB-së, António Guterres.

Sipas tij është një “iluzion” të mendosh se lufta kundër ndryshimeve klimatike është fituar. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, kujtoi se raportet e fundit mbi klimën kanë treguar parashikimin e një rritjeje katastrofike prej 2.7 gradësh

Ndërsa për kryeministrin britanik Boris Johnson, tashmë globi i ka të gjitha mundësinë, mjetet logjistike dhe financat për të frenuar katastrofën klimatike. Në këtë samit sipas tij, duhet të gjendet vullneti për t’i përdorur ato për të ruajtur shtëpinë e përbashkët dhe gjithë njerëzimin nga shfarosja.

Liderë nga 120 vende të botës mbërritën në qytetin skocez për të marrë pjesë në punimet e samitit të organizuar nga Kombet e Bashkuara, që do të zhvillohen deri më 12 Nëntor.

Samiti ka për qëllim të tërheqë edhe ekonomitë që e ndosin më tepër ambientin, si Kina, India, Australia e Brazili në një marrëveshje për të hequr dorë nga energjia që ka si burim karburantet fosile si nafta e qymyri.

Objektivi, ashtu si në samitin e fundjavës të G-20, frenimi i rritjes së temperaturave globale me më shumë se 1.5 gradë Celsius krahasuar me nivelet para industriale.

Nëse nuk ka limite, deri në 2100-ën mesatarja e temperaturave rrezikon të rriten minimalisht me 2.7 gradë Celsius, një nivel me pasoja më tepër se katastrofike.