Kryeministri Edi Rama ndodhet në kryeqytetin serb Beograd ku të enjten do të mbahet takimi i radhës i nismës “Ballkani i hapur”.
Mikpritësi i këtij takimi, Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç ka organizuar një darkë pune ku përveç kreut të qeverisë shqiptare ka qenë edhe kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiç, zv.kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov si dhe kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç. Në një postim në rrjetet sociale, Vuçiç shkruan me krenari për verën që u ka ofruar miqve nga Ballkani.
“Një mbrëmje e mrekullueshme në restorant “Salon 1905” me miq nga rajoni, Edi Rama, Zdravko Krivokapic dhe Nikola Dimitrov. Unë dhe Ana Brnabić u dhuruam mysafirëve tanë verëra të shkëlqyera serbe dhe guxuam t’i krahasonim me verërat shumë të mira franceze. Miqësia jonë është miqësi për të ardhmen e gjithë rajonit” – shkruan Vuçiç.