Aktualitet Kjo gropë në rrugë i mori jetën të riut shqiptar në Angli

Kjo gropë në rrugë i mori jetën të riut shqiptar në Angli

Gjykata e Maidstone në Angli ka shpallur këtë të mërkurë vendimin se shkak i vdekjes së një 22-vjeçari shqiptar 5 muaj më parë ishte një gropë në rrugë në qytetin e Ashford. Viktima është identifikuar si Algert Lleshi.

Dëshmitarët thanë se ai po udhëtonte me biçikletë dhe papritmas u rrotullua dhe u përplas në tokë. Shqiptari mbeti fillimisht pa ndjenja dhe erdhi në vete 7 minuta më vonë kur u ndihmua nga një infermiere që rastisi në vendin e ngjarjes. Kur mbërriti ambulanca ai ishte i vetëdijshëm dhe qëndronte i ulur.

Dëshmitarët thanë se ai hyri me këmbët e tij në ambulancë, por ankohej për dhimbje koke duke kërkuar një qetësues. Në këto momente humbi sërish ndjenjat. Mediat britanike shkruajnë se ai u dërgua në spitalin “William Harvey” ku u zbulua se kishte pësuar një dëmtim traumatik në tru.

Gjendja e tij u përkeqësua dhe u transferua në spitalin “King’s College” ku iu nënshtrua një operacioni urgjent. Për fat të keq operacioni nuk shkoi mirë dhe i riu u shpall i vdekur 3 ditë pas aksidentit, më 5 qershor 2021.

Katrina Hepburn, ndihmës-mjeke ligjore tha në gjykatë se me shumë mundësi i riu shqiptar nuk e kishte parë gropën e thellë në rrugë dhe se ky është shkaku i aksidentit.