Një muaj më parë dha dorëheqjen nga drejtimi i Policisë së Shtetit, por bashkëpunimi mes Ardi Veliut dhe qeverisë socialiste duket se nuk ka përfunduar.
Në letrën e dorëheqjes që Veliu i dorëzoi kryeministrit Edi Rama shkruante se do të largohej për t’iu përkushtuar familjes, por theksonte dhe dëshirën për të bashkëpunuar sërish.
“Mezi pres të punojmë sërish së bashku në të ardhmen në shërbim të vendit tonë e njerëzve tanë”, shkruante Veliu. Pushimi për të kaluar më shumë kohë me familjen duket se nuk do të zgjasë gjatë, pasi Rama i ka caktuar një post në kabinetin qeveritar.
Ai nuk do të emërohet në Ministrinë e Brendshme. Sipas “Lapsi.al”, Ardi Veliu do të jetë zëvendësi i Belinda Ballukut. Emërimi i tij si zëvendësministër i ministrisë së Energjetikës dhe Infrastrukturës pritet të bëhet ditët në vijim.