Bota “Konflikti në Ballkan është çështje kohe”/ Analiza: Serbia po destabilizon rajonin, BE...

“Konflikti në Ballkan është çështje kohe”/ Analiza: Serbia po destabilizon rajonin, BE dhe NATO të marrin masa

Konflikti në rajon është i pashmangshëm dhe është koha për të vepruar për të mbrojtur vitet e përparimit. Kështu thuhet në një analizë të Politico.eu mbi situatën aktuale në Ballkanin Perëndimor.

Sipas saj, konflikti në Ballkan është çështje kohe, ndërsa thekson se është koha qe NATO dhe BE të ndërhyjnë për ta parandaluar këtë përshkallëzim të situatës.

“Pa dyshim, konflikti në rajon nuk është më i paimagjinueshëm – nëse nuk veprojmë, është thjesht çështje kohe. Rusia e di këtë dhe po teston qëllimisht vendosmërinë dhe aftësitë e NATO-s. Nëse NATO dhe BE nuk janë në gjendje të mbrojnë stabilitetin në Ballkan – jo aq oborri i shtëpisë së tyre sa një oborr në zemër të shtëpisë së tyre – atëherë ka pak gjasa që ata ta bëjnë këtë diku tjetër. Dhe në mungesë të një angazhimi të besueshëm euroatlantik, nuk do të vuajë vetëm Ballkani“, shkruan Politico.eu.

Analiza e shkruar nga Arminka Helic dhe Anthony Mangnall, me titulli “Duhet të flasim për Ballkanin Perëndimor”, thotë se Serbia po përpiqet për destabilizuar rajonit, duke kërcënuar sovranitetin dhe integritetin territorial të shteteve.

“E shoqëruar me ndërhyrjen ruse, ndarjen e BE-së dhe dobësinë e NATO-s, kjo po rezulton të jetë një përzierje vdekjeprurëse. Përparimi që u bë në rajon në vitet 2000 – drejt shteteve paqësore, të begata, multietnike – po zhbëhet dhe hapësira është e hapur për ngatërrestarët”, thuhet më tej.

Gjithashtu evidentohen dhe përplasjet e muajit shtator në veri të Kosovës, ku Serbia provokoi konflikt. Në analizë thuhet se në Bosnjë politikanët serbë atje, të cilët janë politikisht dhe financiarisht të varur nga Serbia, po tërhiqen në mënyrë të njëanshme dhe jokushtetuese nga institucionet e nivelit shtetëror.

Ndërsa në Malin e Zi evidentohet se Beogradi po nxit ndarjet fetare, duke kontribuar në një klimë politike gjithnjë e më toksike që ka rindezur çështjet e orientimit të politikës së jashtme, përkatësisë etnike dhe besimit.

“Këto veprime destabilizuese janë të mbështetura të gjitha nga koncepti i “botës serbe” – një ide e ngjashme alarmante me “Serbinë e Madhe” të ish-presidentit Slobodan Millosheviç – tani e mbrojtur hapur nga ministri i brendshëm i vendit, Aleksandar Vulin. Këtu mund të shihen gjurmë të qarta të viteve 1990, gjatë të cilave regjimi i Millosheviçit krijoi një sërë luftërash, që kulmuan me spastrim etnik dhe gjenocid”, shkruhet më tej.

Gjithashtu vihet theksi te mbështetja që Rusia po i bën Serbisë. Në analizë nënvizohet se Kremlini vazhdon ta ndalojë Kosovën nga njohja e plotë ndërkombëtare në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Politico.eu ngre problem “përçarjen” e BE-së, duke theksuar veton e Bullgarisë për integrimin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë dhe platformën e rrezikshme islamofobike dhe anti-boshnjake të kryeministrit hungarez Viktor Orbán.

Në analizë shkruhet se, “Me ide të tilla në qarkullim të hapur, BE-ja nuk është në gjendje të përballet me sfidën e ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në Ballkan”. Gjithashtu evidentohet disa hapa, që sipas autorëve të shkrimit, duhet të marrë BE dhe NATO.

-Së pari, rajoni duhet të trajtohet si një tërësi koherente: politika perëndimore duhet të marrë parasysh se krizat dhe tensionet në Bosnje-Hercegovinë, Kosovë dhe Mal të Zi janë të gjitha të lidhura dhe se mbështetja në Serbi si një shtyllë stabiliteti në Ballkanin Perëndimor është fatkeqësisht një politikë e gabuar.

Serbia nuk është më një aleat i dobishëm në zgjidhjen e problemeve politike në Ballkan; përkundrazi, është shkaku kryesor i tyre. Prandaj, qasja jonë duhet të kalojë në atë të kontrollit, duke kërkuar llogari nga presidenti Aleksandar Vuçiç dhe qeveria serbe për provokimin e destabilitetit.

-Së dyti, NATO duhet të sigurojë që prania e saj në rajon të jetë mjaft e konsiderueshme për të vepruar si një pengesë ndaj dhunës. Kjo do të thotë rritje e numrit të trupave. Forca stabilizuese e EUFOR-it në Bosnje dhe Hercegovinë ka vetëm rreth 700 anëtarë, një kontigjent i pakët që nuk ka gjasa të përmbajë ndonjë destabilitet të konsiderueshëm. Kosova gjithashtu duhet të pranohet në programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s së bashku me Bosnjën dhe të mirëpritet në NATO sa më shpejt të jetë e mundur.

-Së treti, BE-ja duhet të zgjohet nga kërcënimi në kufijtë e saj. Fjalët e sjellshme nuk do të na çojnë askund. Një përgjigje e fortë e mbështetur nga kërcënimi i sanksioneve është i vetmi mesazh që do të kalojë. Kërcënimet e dhunës, nacionalizmit etnik dhe mohimit të gjenocidit duhet të përballen me dënim të qartë dhe të shpejtë në vend të heshtjes së zakonshme të sikletshme të BE-së. As deklaratat nuk duhet të vazhdojnë të jenë të mbrojtura në gjuhën e “të dyja palëve”.

Disa politikanë evropianë mund të shqetësohen se një përgjigje e tillë e fortë do të shërbejë vetëm për të tjetërsuar Ballkanin Perëndimor, por kjo frikë është e pabazë. Rusia nuk do të zëvendësojë BE-në. Të rinjtë e rajonit nuk po largohen për në Moskë, por për në BE. Kur liderët evropianë deklaruan në vitin 2003 se “e ardhmja e Ballkanit është brenda Bashkimit Evropian”, ata kishin të drejtë. Pyetja është se sa më shumë grindje do të duhet të kalojë rajoni para se të arrijë atje.