Nga Aurenc Bebja*, Francë
Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA) ka deklasifikuar në vitin 2007 dokumentin që përshkruan negociatat ndërmjet Mbretit Zog dhe diplomacisë amerikane për krijimin e një “Fronti të Bashkuar Shqiptar” në mërgim më 1949 me qëllim bashkimin e shqiptarëve jashtë atdheut dhe rrëzimin e regjimit komunist në Shqipëri, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:
I dashur Pilgrim:
Kam kënaqësinë të bashkangjit për dosjet tuaja (1) një memorandum bisede të nënshkruar që u zhvillua në Aleksandri, Egjipt me 5 maj 1949, (2) një deklaratë të nënshkruar që përcakton pikat që duhet të përfshihen në një deklaratë që do të publikohet së shpejti pas shpalljes së formimit të një Fronti të Bashkuar dhe (3) një deklaratë plotësuese e nënshkruar (firmosur). Ju lutem vini re se në hyrje të deklaratës së fundit përmenden emra të cilët ndoshta dëshironi t’i eliminoni (fshini).
Komentet e mia për këto deklarata ju kanë ardhur më parë me telegram.
Sinqerisht i juaji,
Shqiptarët jashtë vendit.
Mbreti Zog u shpreh fort në favor të formimit të një Fronti të bashkuar të të gjithë të mërguarve shqiptarë antikomunistë. Ai ra dakord që çështja e regjimit të ardhshëm t’i lihet zgjedhjes së lirë të popullit shqiptar. Mbreti Zog pranoi që Frashëri të ishte udhëheqës.
Sekret
Memorandumi i bisedës me mbretin Zog I, 5 maj 1949.
Një takim me Mbretin Zog I u mbajt në Aleksandri Egjipt më 5 maj 1949. U shpjegua se Shtetet e Bashkuara do të shikonin me favor formimin e një fronti të bashkuar të të gjithë shqiptarëve antikomunistë jashtë vendit. U vu në dukje se refugjatët nga disa vende të tjera të dominuara nga sovjetikët, si Bullgaria dhe Hungaria, kishin arritur një shkallë uniteti që u mundësoi udhëheqësve të tyre t’u jepej e drejta morale për t’u konsideruar si zëdhënës i popujve të tyre. Shpresohet që edhe shqiptarët jashtë vendit të kenë sukses të ngjashëm.
Mbreti Zog u informua se Midhat Frashëri kishte deklaruar se favorizonte formimin e një fronti të tillë të bashkuar dhe se do të punonte aktivisht për këtë qëllim. U shpreh shpresa se Zogu I do të mbante një qëndrim të ngjashëm. U vu në dukje se Mbreti Zog mund të ndihmonte shumë në këtë punë duke miratuar frontin e propozuar dhe duke inkurajuar ndjekësit e tij për të marrë pjesë. Për më tepër, u ndje se Mbreti Zog do të jepte një kontribut të rëndësishëm për unitetin e shqiptarëve jashtë vendit duke lëshuar një deklaratë publike ku thuhej se ai mirëpriste një front të bashkuar nën kryesinë e Frashërit, se çështja e regjimit të ardhshëm të Shqipërisë do të lihej pezull në pritje të një plebishiti të lirë nga populli shqiptar, dhe ndërkohë prerogativat mbretërore duhet të konsideroheshin të pezulluara.
Mbreti Zog u informua për opinionin amerikan se Midhat Frashëri duhet të ishte udhëheqësi i frontit të bashkuar dhe se grupi i tij duhet të formonte bërthamën e lëvizjes. Ishte shpresa e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara që Mbreti Zog ta mbështeste me gjithë zemër këtë propozim, qëllimi i vetëm i të cilit ishte krijimi i një fronti të bashkuar nga shqiptarët jashtë vendit.
Mbreti Zog u shpreh fort në favor të formimit të një Fronti të bashkuar të të gjithë të mërguarve shqiptarë antikomunistë. Ai ra dakord që çështja e regjimit të ardhshëm t’i lihet zgjedhjes së lirë të popullit shqiptar. Mbreti Zog pranoi që Frashëri të ishte udhëheqësi i frontit të bashkuar dhe deklaroi se do të mbështeste lëvizjen. Ai mendonte se Frashëri duhet të siguronte si shoqërues një person të partisë Legjitimiste (Legalitetit) si dhe një person me merita nga Partia e Pavarur, në mënyrë që komiteti të kishte 2 myslimanë, një ortodoks dhe një katolik. Mbreti Zog deklaroi se ai nuk mund t’i deklaronte (vinte) prerogativat e tij mbretërore në pezull, pasi kjo do të ishte e pamatur, si dhe jo besnike ndaj zotimit të tij ndaj popullit shqiptar. Një veprim i tillë, tha ai, do të rrezikonte vazhdimin e njohjes së misioneve antikomuniste/mbretërore/diplomatike shqiptare në Egjipt, Turqi dhe gjetkë. Më thelbësisht, ai mendonte se një veprim i tillë do të ishte i barabartë me heqjen mënjanë të detyrës që Asambleja Kombëtare Shqiptare i kishte vënë atij përpara pushtimit fashist italian. Ai tha se Kuvendi (Asambleja) me atë rast e kishte ngarkuar që të përfaqësonte kombin jashtë vendit deri në çlirimin e tij. Ai rekomandon për hir të lëvizjes që Frashëri të vizitojë Egjiptin, Sirinë, Turqinë, Italinë, Greqinë dhe kudo ku ka grupe të konsiderueshme të mërguarish shqiptarë, të bisedojë me ta, të sigurojë prej tyre deklarata me shkrim mbështetjeje dhe kështu të njihet si lider i frontit të bashkuar. Mbreti Zog doli vullnetar për të ndihmuar në sa më sipër dhe për të bërë një deklaratë publike sipas linjave të dëshiruara kur ajo të konsiderohej e dobishme.
Mbreti Zog u shpreh fort për rëndësinë që Midhat Frashëri duhej të vinte në Egjipt dhe të merrte nga goja e tij sigurinë e ndihmës së tij.
14 qershor 1949
Konfidencial
Zogu I, Mbreti i shqiptarëve
14 qershor 1949.
E mirëpres me shumë kënaqësi formimin e “Frontit të Bashkuar Shqiptar”, si mjet për arritjen e bashkimit mes shqiptarëve jashtë vendit, si dhe për të sjellë rehati morale për shqiptarët në vendin e tyre, e cili tani është nën dominimin e një qeverie komuniste me bindje të huaj.
Unë do të jap me të gjitha forcat e mia mbështetjen time për “Frontin e Bashkuar Shqiptar”dhe komitetin e tij. Unë do t’i bëj thirrje të gjithë shqiptarëve që t’i bashkohen kësaj lëvizjeje, qëllimi i së cilës është rimëkëmbja e pavarësisë së Shqipërisë me gjithë integritetin e saj.
Unë deklarova publikisht në vitet 1940, 1946 dhe radhazi në disa raste, se regjimi i ardhshëm i Shqipërisë do t’i lihet tërësisht në pëlqimin e popullit shqiptar, i cili, nëse është e nevojshme, do të jetë në gjendje t’i bëjë të njohura aspiratat e tij me anë të një plebishiti të lirë pas çlirimit të vendit.
Unë e konsideroj këtë metodë plotësisht në përputhje me parimet demokratike.
Deklaroj se nuk ushtroj asnjë nga të drejtat e mia mbretërore kundër “Frontit të Bashkuar Shqiptar”, kundër veprimtarisë së tij apo komitetit të tij të kryesuar nga Midhat Frashëri, me kusht që megjithatë të mos dalin kundër aspiratave të Kombit Shqiptar dhe se ato të synojnë rimëkëmbjen e pavarësisë së Shqipërisë dhe integritetin e territorit të saj.
Kjo deklaratë e tanishme në pikat e përgjithshme do të publikohet ditën kur partitë e ndryshme të përmendura në intervistën tonë të parë do të kalojnë në përbërjen (formimin) e komitetit të “Frontit të Bashkuar Shqiptar”.
Zogu I, Mbreti i shqiptarëve
Pas procesverbalit që rrëfen intervistën (takimin) që pata me z. Berry në prezencë të z. Miner me 5 maj 1949, dhe pas deklaratës që kam firmosur me 14 qershor 1949, do të doja të shtoja një shtojcë që është pjesë përbërëse e deklaratës sime dhe që mund të përmblidhet në tre pika:
1/ Duke qenë se përfaqësoj legjitimitetin dhe ligjshmërinë, do të jem i prirur që të gjitha çështjet me interes parësor të sillen në vëmendjen time për konsultim nga komiteti drejtues i “Frontit të Bashkuar Shqiptar” në bashkëpunim të plotë dhe nëse kjo është e nevojshme nëpërmjet autoriteteve kompetente amerikane.
2/ Në përputhje me parimet e legjitimitetit dhe ligjshmërisë të përmendura më sipër dhe të investuara në mënyrë kushtetuese, do të ngarkoj një qeveri me prirje krejtësisht neutrale, gjatë periudhës tranzitore pas çlirimit të Shqipërisë, të organizojë operacionet paraprake që do të kërkojë plebishiti, dhe nëse është i dobishëm nën kontrollin aleat.
3/ Unë sanksionova (miratova) zgjedhjen e Midhat Frashërit si Kryetar i Komitetit Drejtues të “Frontit të Bashkuar Shqiptar” për arsye të besimit të plotë që kam në patriotizmin e tij, por në rast se Midhat Frashëri jep dorëheqjen ose për ndonjë arsye tjetër të paparashikueshme, duhet të konsultohem për zgjedhjen e zëvendësimit të tij të mundshëm dhe gjithashtu formimin e komitetit drejtues nëse ai do të modifikohej.
Këto tre pika sqarojnë dhe kushtëzojnë deklaratën time, e cila duhet të publikohet vetëm pasi të jetë arritur marrëveshja e partive të ndryshme kombëtare shqiptare.
Aleksandri, 15 qershor 1949.
*Burimi: Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania