Gjashtë punonjës dhe ish-punonjës të Drejtorisë së Zonave Turistike dhe AKSH-së në Durrës janë denoncuar në SPAK nga Ministria e Drejtësisë për ndërtimin pa leje mbi një kopësht në zonën e Ishmit në qytetin bregdetar.
Ka qenë ministri i Drejtësisë Ylli Manja i cili ka dalë në një konferencë shtypi dhe ka bërë të ditur rastin, duke thënë se personat përgjegjës kanë legalizuar dhe hipotekuar pronën në favor të privatit në një ndërtesë publike.
Ministri Manja ka deklaruar se nuk do të tolerohen raste të tilla të abuzimit me pronat shtetërore.
“Rasti i parë i përket drejtorisë së zonave turistike. Është një rast flagrant, një ndërtim pa leje brenda territorit të një ndërtese publike, një ndërtim pa leje mbi një objekt publik që edhe sot që po flasim është kopësht, kopësht publik. Mësojnë fëmijët sot në atë kopësht. Rasti ka të bëjë me Njësinë Administrative Ishëm në Bashkinë Durrës.
Është legalizuar një objekt pa leje brenda territorit të një kopështi publik i cili përdoret edhe si ambient shtesë për shkollën e këtij fshati. Madje ndërtimi pa leje është bërë direkt mbi kopështin, pa një studim, pa një projektim, është shtuar një kat mbi kopështin ku shkojnë e mësojnë fëmijët e kësaj njësie. Jo vetëm duke shkelur haptazi ligjin, por dhe duke rrezikuar seriozisht jetën dhe shëndetin e fëmijëve që mësojnë aty.
Legalizimi është kryer në mënyrë abuzive pasi ligji përjashton nga procedurat e legalizimit objektet e ndërtuara në territorin e ndërtesave publike, aq më tepër që ky objekt sot vazhdon të jetë në pronësi të Njësisë Administrative Ishëm, ndërkohë që zyrtarët përkatës që do denoncohen sot në SPAK e kanë disponuar këtë objekt me legalizim fillimisht për privatin e më pas e kanë hipotekuar pronën në favor të privatit.
Për këtë vepër penale kemi vendosur të dërgojmë në Prokurori 6 persona, mes të cilëve ish-punonjës dhe punonjës aktualë të Drejtorisë së Zonave Turistike dhe ASHK-së vendore Durrës, të cilët me veprimet e tyre që nga matjet në terren, e deri tek legalizimi i objektit kanë shpërdorur detyrën në mënyrë flagrante”, tha ndër të tjera ministri i Drejtësisë.