Ashtu si çdo dimër, acari në Europë dhe vorbullat polare në Shtetet e Bashkuara i shtyjnë një pjesë të njerëzve (të cilët nuk e dinë dallimin mes motit dhe klimës) të mohojnë realitetin e ngrohjes globale.
E vërteta, megjithatë, është e kundërta. -33 gradë në Çikago, -35 ° C në North Dakota, erërat e ftohta -52 ° C. Këto temperatura shumë të ulëta dhe me acar, kthejnë këndvështrimet dhe e bëjnë ngrohjen globale të mos duket aq emergjente sa në fakt është.
Përse në një planet që supozohet se po ngrohet duhet të jetë kaq ftohtë?
A nuk e mohon kjo ngrohjen globale? Si shpjegohet ky fenomen?
Klimatologët theksojnë se në këto raste ka një tendencë për të bërë gabime në vlerësime.
Së pari, një periudhë e ftohtë disa ditore në një zonë të planetit është një fenomen meteorologjik dhe meteorologjia shpjegon se çfarë ndodh në një kohë të kufizuar.
Së dyti: ndryshimi global i klimës është një teori shkencore që shpjegon se çfarë ndodh dhe do të ndodhë me të gjithë planetin mbi 150 vjet ose më shumë.
Gjatë valës së ngricës së vitit 2018, në bregun lindor të Shteteve të Bashkuara temperatura arriti pothuajse -40 ° C, bregu perëndimor ishte ende duke u përpjekur të shërohej nga efektet e zjarreve të frikshme që kishin prekur vendet, veçanërisht Kaliforninë. Në shumë pjesë të tjera të botës, përfshirë Alaskën dhe Siberinë, temperaturat ishin shumë më të larta: në veçanti, në zonat arktike temperaturat prej rreth 3.4°C ishin mbi mesataren.
Shpjegimi i një fenomeni të tillë të veçantë qëndron në të ashtuquajturin vorbull polare: ky fenomen është një lloj unaze e vazhdueshme e erërave të forta që rrethojnë Polin e Veriut dhe “mbajnë” ajrin më të ftohtë në lartësi të larta.
Pas ngrohjes, ndoshta edhe shkrirjes së akullit polar, kjo vorbull fillon të ngadalësohet dhe të tërheqë valë më të thella e më të gjera, të cilat gjithashtu mund të prishen. Këto valë më të thella shkaktojnë një fluks ajri polar që ul temperaturat dhe krijon një klimë më të butë në veri.
I njëjti fenomen, u zhvillua edhe në Europë dhe Azinë veriore. Dobësimi i vorbullave polare është një fenomen i vazhdueshëm, i cili është forcuar për disa dekada tani, dhe krijon mundësi për të ftohtë në kontinent, edhe pse jo aq ftohtë si në SHBA. “Në dyzet vitet e fundit këto ngjarje të motit, të shkaktuara nga erërat e forta arktike, janë bërë më të vazhdueshme, më të gjata“. Një konfirmim që, edhe nëse mekanizmat nuk janë kuptuar plotësisht, ngrohja anormale e Arktikut dhe e gjithë planetit ka ndikime të rëndësishme në klimën e Tokës.