Gjykata e Posaçme ka vendosur sot që të shtyje me 2 muaj e 15 ditë afatin e hetimit ndaj të akuzuarve për vrasjen e Klodian Saliut dhe Vajdin Lamajt.
Për këto vrasje janë duke u hetuar nga SPAK, Emiliano Shullazi, Lulzim Berisha, Plaurent Dervishaj, Indrit Taullai, Indrit Rusi, Viktor Ymeri dhe Luftar Reçi. Ngjarja ka ndodhur në Shkurt të vitit 2005, por SPAK rihapi hetimet pak kohë më parë.
Ngjarja më e bujshme është vrasja me tritol në ashensorin e pallatit ku banonte biznesmeni Vajdin Lame dhe të Artan Arsit, më 27 Shkurt 2005. Ngjarja e dytë është ekzekutimi Klodian Saliut, teksa udhëtonte me makinë në autostradën Durrës – Tiranë në 26 Shkurt 2005, një ditë përpara vrasjes së Lamajt në Tiranë.
Prokuroria e Posaçme thotë se të përfshirë në atentat janë Lulzim Berisha, Plarent Dervishi, Indrit Taullai, Luftar Reçi dhe Indrit Rusi, thuajse të gjithë ata që organizuan dhe zbatuan atentatin ndaj Lames, përveç Emiljano Shullazit dhe Viktor Ymerit.
Të gjithë këta persona akuzohen për disa vepra të rënda penale, si ajo e “vrasjes me paramendim” kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “mbajtjes pa leje të armëve luftarake me pasoja të rënda”, si dhe “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose më shumë personave.