Politika Shehaj verifikoi firmat e Berishës, reagojnë dy degët e PD në Tiranë:...

Shehaj verifikoi firmat e Berishës, reagojnë dy degët e PD në Tiranë: Show dhe protagonizëm personal

Reagojnë degët e PD 5 dhe 7 në Tiranë ish-kandidati për kryetar i Partisë Demokratike Agron Shehaj ka shkuar në zyrën e kreut të Këshillit Kombëtar të demokratëve Edi Paloka, për të verifikuar firmat e delegatëve të mbledhura për thirrjen  e Kuvendit më 11 dhjetor.

Deputeti Agron Shehaj nisi të verifikojë këtë të martë firmat e delegatëve për mbajtjen e Kuvendit të PD më 11 dhjetor për njësinë 5 dhe 7 në Tiranë.

Menjëherë pas lajmit, degët 5 dhe 7 të Partisë Demokratike në Tiranë reaguan duke e quajtur këtë veprim një show mediatik.

Në reagim theksohet se Shehaj nuk ka bërë asnjë takim me demokratët që prej ditës që u zgjodh deputet.

“Show mediatik i Agron Shehajt me demokratët konfirmoi se interesi i tij i vetëm është protagonizmi personal. Agron Shehaj dështoi të verifikojë firmat e demokratëve, sepse ai as nuk e njeh bazën e partisë, as nuk e respekton atë. Si drejtues politik i degëve 5 dhe 7 në Tiranë, Agron Shehaj nuk ka bërë asnjë takim me demokratët që prej ditës që u zgjodh deputet.

PD në degën 5 dhe 7 në Tiranë e kudo ka vendosmërinë për të mos lënë demokratët në baltë dhe të mos lejojë nëpërkëmbjen e dinjitetit të tyre. Ne jemi në krah të demokratëve dhe interesit të Shqipërisë, me misionin e vetëm për rrëzimën e regjimit të Edi Ramës dhe rikthimin e PD në pushtet”, thuhet në reagimet e degëve të PD.