Sulmuesi i Real Madrid, Karim Benzema, u shpall fajtor për bashkëpunim në shantazh ndaj shokut të skuadrës Mathieu Valbuena.
Gjykatësi dënoi francezin me një vit burg, por pezulloi zbatimin e dënimit, dhe e urdhëroi që të paguante 75 mijë euro gjobë. 33-vjeçari ishte një prej pesë personave që u paditën në gjyq për shantazhin e Valbuena-s me një video me përmbajtje seksuale.
Gjykata arsyetoi se Benzema nuk e kuptoi natyrën kriminale të veprimeve të tij, ndaj nuk do të shkojë pas hekurave.
Skandali shtangu botën e futbollit në Francë dhe jo vetëm, dhe si pasojë, të dy lojtarët u përjashtuan nga kombëtarja e “Gjelave”.
Ngjarja ka ndodhur në vitin 2015, kur të dy lojtarët ishin grumbulluar me kombëtaren e tyre.
Aty, Benzema i bëri presion Valbuena-s që të paguante shantazhuesit, duke punuar në fshehtësi si ndërmjetës i tyre, thanë prokurorët. Benzema gjithmonë i ka mohuar akuzat dhe ka thënë se thjesht po përpiqej që Valbuena të hiqte qafe videon.