Ushtria britanike do të vendosë qindra mjete luftarake në Gjermani, vetëm një vit pasi zyrtarisht ishte tërhequr nga ky vend. Vendimi, i marrë të enjten nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar vjen pas rritjes së tensioneve mes Ukrainës dhe Rusisë, veçanërisht në muajt e fundit.
Trupat dhe armatimet britanike do të vendosen në bazën e NATO-s në Sennelager, pranë qytetit Paderborn. Ndërkohë që vitin e kaluar, 20 mijë ushtarët e fundit u larguan nga një tjetër bazë në Bielefeld.
“Po i vendosim trupat dhe mjetet tona përpara, në mënyrë që të kemi mundësi të lëvizim më shpejtë nëse do të na duhet”, tha Gjenerali britanik Ralph Wooddisse. Një zyrtar i qeverisë tha se bëhej fjalë për qindra mjete, por nuk konfirmoi numrin e saktë.
Vendimi vjen pas shqetësimit të shtuar mes shteteve anëtare të NATO-s se Rusia po planifikon pushtimin e Ukrainës. Kievi thotë se Moska ka mbledhur 114 mijë trupa në kufi, kryesisht në krahinat rusishtfolëse në Donbas, të cilat duan të shkëputen nga Ukraina. Në fillim të vitit, Presidenti amerikan Joe Biden, anuloi vendimin e pararendësit të tij, Donald Trump, për të tërhequr mijëra trupa amerikanë nga Gjermania