Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi gjatë konferencës për shtyp, se kufiri mes Kosovës dhe Shqipërisë po hapet me shpejtësi dhe çdo gjë tjetër është e dorës së dytë. Komentet, kreu i qeverisë së Kosovës i bëri pasi u pyet së bashku me Ramën nga gazetarët e pranishëm në lidhje me qëndrimet për “Open Balkan”.
“Në të njëjtën kohë nuk kanë nevojë që sa herë që bashkëveprojnë doemos ta mendojnë e ta përmendin e ta endin fqinjin verior të Kosovës. Sot është liberalizimi i kufirit për qytetarët dhe bashkëpunimi i zyrtarëve për institucionet. Kufiri mes Kosovës dhe Shqipëri po relativizohet për qytetarët. Në anën tjetër po shtojmë bashkëpunimin mes zyrtarëve dhe institucioneve meqenëse ky bashkëpunim është përgjegjësi dhe detyrë e jona, duke qenë se edhe interesi i vendeve tona e kërkon një gjë të tillë. Kosova dhe Shqipëria po hapen me shpejtësi për njëra tjetrën dhe gjithçka tjetër është në rastin më të mirë e dorës së dytë”, tha Kurti.