Fundi i nëntorit ka sjellë dimrin e vërtetë në vend. Shqipëria është mbërthyer nga moti i keq, me reshje shiu, dëbore dhe stuhi ere.
Lëpusha është zgjuar me dëborë, trashësia e se cilës ka kaluar 15 centimetra, por fatmirësisht akset rrugore janë të kalueshme.
Reshjet e shiut dhe era e fortë kanë shkaktuar problem në disa akse rrugore. ARRSH njofton se në disa rrugë ka pasur rënie gurësh, drurë, materiale dhe inerte. Kontraktorët po punojnë për pastrimin e tyre, por deri tani nuk ka rrugë të bllokuara.
Për shkak të reshjeve gjatë dy ditëve të fundit ka edhe rritje të nivelit të ujit në lumin Shkumbin. Sinoptikanët parashikojnë se moti i keq do të vijojë me reshje shiu e dëbore dhe stuhi ere.
“Problematike vijon të mbetet problem i erës, stuhitë erës do të jenë të pranishme duke bërë që të shkojnë 70 kilometra në orë duke sjell problem në trafikun detar, e marta reshje, dëbore do të ndërpriten dhe do të rikthehen të premten dhe në fundjavë”, tha Lajda Porja për Tv Klan.
I ftohti polar do të pushtoj vendin tonë duke nisur nga e marta. Sinoptikanët parashikojnë temperatura të ulëta gjatë gjithë javës ku rekordi do shënohet të mërkurën me vlerën -5 gradë.