Pashko Ujka nuk ka mundur t’i mbijetojë atentatit me armë zjarri të ndodhur këtë të hënë në Shkodër, duke ndërruar jetë në spital.
Ngjarja ndodhi rreth orës 18:15, në lagjen “Vasil Shanto”, pranë shtëpisë së Ujkës. 64-vjeçari mbeti i plagosur rëndë. Ai mori një plumb pranë shtyllës kurrizore dhe gjendja e tij u paraqit kritike që në fillim.
Ai ka qenë me bashkëshorten e tij në lulishten pranë kishës ortodokse, kur është qëlluar me pistoletë silenciator. Vetëm kur është shtrirë përtokë bashkëshortja ka kuptuar se është qëlluar, duke njoftuar policinë.
Shkaqet e kësaj ngjarjeje të rëndë mbeten të panjohura, po ashtu edhe autori.
Në vitet 2005-2009 Ujka ka qenë deputet i kuvendit të Shqipërisë dhe kryetar i grupit parlamentar të PDK.
Më pas në vitet 2011-2015 u zgjodh kryetar i komunës Velipojë sot njësi administrative e bashkisë Shkodër pas reformës territoriale.
Ujka ka pasur përplasje për shkak të detyrës në të shkuarën dhe ka mbetur dy here i plagosur.
Ujka prej disa vitesh nuk ishte aktiv në jetën politike.