Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka emëruar gjeneralmajor Bashkim Jasharin komandant të ri të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Në njoftimin e presidencës bëhet e ditur se presidentja ka pranuar dorëheqjen e komandantit të mëparshëm, Rrahman Rama.
“Para emërimit të komandantit të ri të FSK-së, Presidentja e Republikës së Kosovës, mbështetur në dispozitat ligjore, ka dekretuar lirimin nga detyra të komandantit të deritanishëm të FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, pas paraqitjes së dorëheqjes nga ana e tij”, thuhet në komunikatën e presidencës.
Emërimi është bërë siç parashihet në ligjin për FSK-në, pas propozimit të ministrit të Mbrojtjes dhe rekomandimit të kryeministrit të Republikës së Kosovës, njofton presidenca.
Bashkim Jashari është i biri i Rifat Jashari, vëllai i komandantit legjendar Adem Jashari.