Milani i Piolit po përgatitet për ndeshjen kundër Salernitanës në “San Siro”. Trajneri i kuqezinjve teston skuadrën në këtë periudhë angazhimesh të ngjeshura dhe në konferencën për shtyp deklaroi: “Jemi mësuar me këto ndeshje të ngjeshura. Kohët janë gjithmonë të shkurtra, por ne i kemi studiuar mirë kundërshtarët. I kemi rikuperuar energjitë dhe jemi gati për këtë ndeshje”.
Shqetësuese janë kushtet e lojtarëve në shtëpinë e “Djallit”, dëmtimi i fundit është lëndimi i Kjaer: “E kemi jetuar me dëshpërim të madh, i dimë cilësitë e lojtarit dhe rëndësinë e personit. Prania e tij në skuadër është shumë e rëndësishme për karizmën, personalitetin. Ai di t’i bëjë gjërat në momentin e duhur. Jemi të shqetësuar për të, por edhe të vetëdijshëm se gjithçka do të jetë mirë. Ai do t’i kapërcejë këto vështirësi, sepse është një person i fortë”.
Prandaj, do të ketë vend për të rinj si Leao dhe Pellegri: “Për Rafael rruga është e drejtë, ai dëshiron të përmirësohet. Duhet të jetë më cinik në zonën e penalltisë, duhet të luajë me bindje dhe forcë. Duhet ta kërkojë golin më shumë. Pelegri është i disponueshëm dhe po bën mirë, si edhe Ibra. Pastaj te shohim kush do të luajë nga fillimi. Zgjedhjet për formacionin i bëj unë, por edhe lojtarët me paraqitjet dhe gjendjen e tyre. Të gjithë duhet të ndjehen si titullarë”.
“Ndeshja e nesërme është e rëndësishme për të pasur vazhdimësi. Kemi një mundësi tjetër të tregojmë se jemi një ekip i fortë. Kundërshtari është i vështirë, shumë i bezdisshëm në fazën e moszotërimit, ka agresivitet. Do të jetë një sfidë ku duam të bëjmë mirë.
Merkato për zëvendësuesin e Kjaer? Nëse konfirmohet dëmtimi i tij afatgjatë, është e qartë se do të nevojitet ndërhyrje, por ne do ta bëjmë këtë vetëm për të përmirësuar ekipin. Ia vlen të ndryshohet grupi për t’u përmirësuar. Klubi, nëse është e nevojshme, do të jetë gati”.