Aktorja e njohur shqiptare, Edi Luarasi ka ndërruar jetë në moshën 81-vjeçare pas një sëmundjeje të rëndë.
Njoftimin e ka bërë të ditur, djali i saj, Eldon Luarasi përmes një postimi në Facebook.
Edi Luarasi lindi në Tiranë më 7 maj 1940. Luarasi ka debutuar në skenë në moshë të re.
Fillimisht në 1956, kur ishte 16 vjeçe, së bashku me të motrën këndonin në skenën e Teatrit të Estradës.
U diplomua për aktore në 1963 dhe emërohet aktore në Teatrin Popullor.
Roli i parë i saj ishte Vera në dramën “Shtëpia në bulevard” më 1963 me regjisor Kujtim Spahivoglin.
Më pas, në dhjetë vjet, vijnë një sërë rolesh të arrirë, ku veçojmë Lenën tek “Doktor Aleksi”, Kordelja tek “Mbreti Lir”, Cuca tek “Cuca e maleve”, Kristina tek “Fytyra e dytë”, etj.
Përjashtohet nga Teatri Kombëtar në 22 janar 1974 për arsye politike e më pas u rikthye në skenë në mars 1991, me interpretimin dinjitoz në rolit e damës plakë në dramën “Vizita e Damës plakë”.
Për ndarjen nga jeta të saj ka shprehur ngushëllimet edhe presidenti Meta, i cili e ka vlerësuar artisten me Dekoratën e Lartë “Nderi i Kombit” dhe thotë se do të mbetet një figurë frymëzuese për artistët e rinj.
“Me shumë keqardhje mësova lajmin e ndarjes nga jeta të aktores së mirënjohur dhe të talentuar, Edi Luarasi, një prej ikonave të filmit dhe skenës shqiptare, të cilën vetëm pak muaj më parë pata privilegjin ta vlerësoj me Dekoratën e Lartë “Nderi i Kombit”.
Edi Luarasi, do të mbetet një figurë frymëzuese për artistët e rinj, veçanërisht për vajzat dhe gratë, si shembull i kurajës qytetare, lirisë, vlerave dhe dinjitetit njerëzor, që sfidoi diktaturën për të triumfuar si dëshmitare e padrejtësive absurde të regjimit të kaluar.
Duke ju shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe komunitetit të artistëve, lutem të prehet në paqen e merituar!”, shkruan Meta.