Ekonomi Në Shqipëri, të rritesh në një familje me ekonomi të mirë, je...

Në Shqipëri, të rritesh në një familje me ekonomi të mirë, je më i rrezikuar nga varfëria më vonë

Të rritesh në një familje me situatë të mirë financiare në Shqipëri, rrit rrezikun për të qenë i varfër më vonë.

Sipas Eurostat, për vitin 2019, shkalla e rrezikut të varfërisë për një familje në situatë të mirë financiare është 25.3% dhe për ato në një situatë të keqe 19.2%.

Përqindja e rrezikut për të qenë të varfër në Shqipëri nuk ka shumë diferencë nga familjet me financa të mira tek ato me probleme.

Anketa e bërë nga Eurostat mat rrezikshmërinë që ka një individ për t’iu afruar kufirit të varfërisë, sipas gjendjes së familjes ku është rritur.

Nga vendet e rajonit, Shqipëria ka nivelin më të ulët të rrezikut për familjet në gjendje të keqe ekonomike. Serbia e ka këtë tregues 29.3%. Mali i Zi e ka 35.5% dhe Maqedonia e Veriut e ka 32.9%.

Por vendi ynë, është ndër vendet me shkallën më të lartë të rrezikut të varfërisë për familjet në situatë të mirë financiare, ndjekur nga Serbia dhe Spanja. Zvicra dhe Danimarka kanë më të lartë rrezikun për të qenë i varfër në një familje me financa të mira.

Në Bashkimin Europian, shkalla e rrezikut nga varfëria është 23% në mesin e familjeve më një situatë “të keqe” financiare. Krahasuar me përqindjen e shkallës nga varfëria për familjet që kanë një situatë “të mirë” financiare në familjen e tyre të fëmijërisë, kjo përqindje është 9.6% më e lartë.

Nga vendet e rajonit, diferencën më të lartë e ka Maqedonia e Veriut, 14% për familjet në gjendje të vështirë dhe 35.5% për ato në gjendje te mirë ekonomike. Në Europë, është Bullgaria me 12% dhe 40.1%, e cila ka dhe shkallën më të lartë të rrezikut për të qenë i varfër nëse je rritur në një familje të tillë.

Çekia ka nivelin më të ulët në Europë të rrezikut për të qenë i varfër, 10.2% për familjet me situatë të keqe financiare dhe 5.6% për ato në situatë të mirë financiare.

Anketa është bërë me të rritur të moshës 25-59 vjeç, lidhur me situatën financiare në familje kur ishin fëmijë dhe kur u shkëputën.