Nuk mbarojnë problemet në Serie A. Ndërkohë që kampionati italian po sheh një “luftë” të bukur ku katër ekipe po tentojnë fitoren dhe ndahen në 4 pikë, jashtë fushës së blertë skandalet vijojnë njëri pas tjetrit. Pas problemeve me mbivlerësimin fiktiv në shitblerjen e lojtarëve, që përfshin veçanërisht Juventusin, tani ka edhe arrestime presidentësh.
Bëhet fjalë për Massimo Ferrero, presidentin e Sampdoria, ekipit të qytetit të Xhenovës, i njohur nga opinioni publik italian për karakterin te tij të veçantë.
Ferrero u arrestua nga Guardia di Financa me akuzën e disa krimeve ekonomike mbi falimentimin e disa prej bizneseve të tij në Kalabri, që nuk kanë lidhje me ekipin e Sampdorias. Bashkë me Ferrero, i cili ndodhet në burgun San Vittore të Milanos, ndodhen në arrest shtëpie edhe e bija dhe nipi i tij.
Pas arrestimit, Ferrero ka dhënë dorëheqjen si president i ekipit.h
Një lajm i keq për Sampdoria, fituese e Serie A në 1991 por që prej disa viteve vuan në vendet e fundit të kampionatit elitar italian, ndërkohë që me këtë lajm, edhe pse nuk e përfshin në mënyrë të drejtpërdrejt, mund të fundoset përfundimisht.