Opinione Basha-Berisha, një histori dështimi ku as fituesi mes tyre nuk e shpëton...

Basha-Berisha, një histori dështimi ku as fituesi mes tyre nuk e shpëton dot më PD

Nga Leonard Karaj

Sali Berisha nuk iku asnjëherë praktikisht nga drejtimi i PD-së, ndërsa Lulzim Basha ka punuar nga dita e parë si kryetar, për të larguar nga partia. Të gjitha faktet dhe rrethanat tregojnë se nga që prej korrikut 2013, Partia Demokratike është drejtuar nga “dy koka”, të cilat pavarësisht asaj që dukej në publik dhe zyrtarisht, kanë qenë vijimësisht nën një teh të fortë mosbesimi ndaj njëri-tjetrit.

Berisha ka qenë sponsorizuesi politik më i madh i Bashës, aq sa që në verën e 2004-ën kur ky i fundit u katapultua si “ylli i ri në ngjitje”, pati me te drejtë doza të forta xhelozie nga një pjesë e madhe e atyre që militonin prej vitesh në këtë forcë politike (Topalli, Topi, Imami, Patozi, etj). Berisha e bëri deputet. Më pas, edhe pse nuk kishte asnjë kontribut në parti (zero, absolutisht zero deri në ato momente), e emëroi Ministër të Transporteve (2005-2007), Ministër të Jashtëm (2007-2009) dhe në fund Ministër të Brendshëm (2009-2011). Në verën e 2011-ës, pa i rënë fare “këmba në tokë”, Berisha “i bleu” bashkinë e Tiranës, ndërsa në korrikun e 2013-ën i fali edhe partinë.

Veç kësaj Berisha e ka mbrojtur me fanatizëm në çdo humbje zgjedhjesh, vendore (2015, 2019), pjesore-vendore (2016) dhe të përgjithshme (2017, 2021). I është bërë mburojë në të gjithë iniciativat që “i përzgjedhuri” i tij pat marrë, paçka se të gjitha kanë rezultuar kryekëput të dështuara dhe me kosto të jashtëzakonshme për PD-në.

–    bojkotoi reformën territoriale për pushtetin vendor në 2014

–    bojkotoi 7 ligjet e Reformës në Drejtësi, paçka se i votoi në korrik të 2016-ës (kundër interesit dhe thirrjeve të SHBA)

–    bëri “çadrën e lirisë” në 2017 me sloganin “S’ka zgjedhje me Ramën Kryeministër” dhe në fund bashkëqeverisi me të në mënyrë të turpshme (Gaz Bardhi ishte Ministër Drejtësie me Ramën) duke u tallur me mundin dhe sakrificat e demokratëve

–    u betua dhe stërbetua se trau i Rruga e Kombit nuk do bëhej me pagesë. Por teksa kuksianët u ngritën në protestë dhe e dogjën, pak ditë më pas, një “thirrje e përbrendshme” bëri që Basha të tërhiqej nga istikami, duke lënë protestuesit “me gisht në gojë” dhe me pranga në duar

–    Në nisje të 2019-ës dogji mandatet duke ndërmarrë një nga aktet më radikale (NË KUNDËRSHTIM TË PLOTË TË POLITIKËS SË SHBA), jo vetëm në Europë, por me gjasë në mbarë botën demokratike.

–    Bojkotoi zgjedhjet vendore, edhe kjo kundër çdo sugjerimi apo interesi amerikan (qesharake fare, pasi sot pohon se është gjoja më pro-amerikani…) Zgjedhjet u bënë, Basha bojkotoi, Rama fitoi njëlloj si Enveri dikur.

–    Nën një “klithmë trimërie” u betua se nuk do të lejonte që të paktën në bashkitë që drejtoheshin nga opozita të mund të futeshin kryebashkiakët e rinj të PS-së. Asgjë nuk ndodhi. Deri në fund të korrikut 2019-të Rama, përveç pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv kishte në dorë edhe gjithë pushtetin vendor

–    Më pas u zotua se rruspat e Lali Erit do duhej të kalonin mbi trupin e tij përpara sesa të shembnin Teatrin Kombtar. Natën duke u gdhirë 17 maji i 2020-ës, si për ironi të fatit, në 3-vjetorin e “qepallave me Ramën”, Basha ishte në gjumë të thellë dhe u paraqit tek rrënojat rreth orës 11 të paradites. Teatri ra!

–    Vijoi me seri protestash me slloganin “Rama ik”, por teksa demokratët përballeshin me gazin e Lleshajt dhe qëndruan për javë të tëra në qelitë e paraburgimit, emisarët e Bashës u ulën pikërisht përballë “termetit Gjiknuri”, për reformën zgjedhore

–    Në qershor 2020 miratuan me Ramën Kodi i ri Zgjedhor, por asqë denjuan që ta çonin në Gjykatë Kushtetuese, kur Rama shkeli marrëveshjen e 5 qershorit. Do mjaftonte vetëm një padi e thjeshtë në Kushtetuese për shkelje të rënda të procedurës (për mënyrën dhe kohën si u mor), pa i hyrë fare çështjes në themel dhe Kodi do ishte rikthyer sikundër ishte, pra me koalicione.

–    U fut në zgjedhje me atë kod, dhe teksa ditën sulmonte Ramën, natën emisarët e tij, punonin kundër LSI-së dhe aleatëve që i kishte futur vetë në lista. Rezultati: Tjetër humbje historike.

Dhe në ndërkohë, në të gjithë këto dështime spektakolare, Berisha ka qenë aty. Dhe jo vetëm që nuk tha asnjë fjalë, por e mbrojti me fanatizëm. Historia mori rrjedhë të kundërt kur u prek interesi personal i ish-liderit historik. Vetëm atëherë, “pupili i tij”, “ylli” i vetëm dhe më i shndritshëm i PD-së, u zvenit. Dhe gjithkça që vjen më pas është veçse një përplasje personale mes dy “kokave” që në të paktën 8 vitet e fundit kanë bërë ç’kanë dashur më PD-në dhe demokratët. Në këtë kuptim, shpëtimi i vetëm i kësaj force politike është largimi i këtyre dy personazhe, të cilët jo vetëm mbajnë, por mesa duket nuk bëjnë dot më pa njëri-tjetrin.

Një lider i thyer, me besueshmëri tejet të cunguar sikundër është Basha i ka shanset matematikore thuajse zero që ta sjellë PD-në së shpejti në pushtet. Ashtu sikundër një Berishë i stërprovuar, “non grata” nga SHB-ja dhe gati i urryer jo vetëm nga kundërshtarët, por edhe nga “populli gri”, i cili bën diferencën në çdo zgjedhje, nuk ka as shanse matematikore që të fitojë përballë “makinerisë vrastare” të Edi Ramës. Kësisoj, PD shpëton nëse “Foltorja” e Berishës ndalet tek Kuvendi i 11 dhjetorit, tejet i nevojshëm për debatin e brendshëm në parti, duke i hapur rrugën një lëvizje të re në këtë forcë politike, ashtu sikundër Basha largohet ose më e pakta kërkon votëbesim, për ti dhënë frymë një partie ku më shumë se gjithçka duhet të ketë vlerë MERITOKRACIA, fjalë kjo që në PD ka kohë që është zhdukur fare nga fjalori.