Policia e Shtetit ka reaguar ditën e sotme për ‘shtëpinë e barit‘ që u zbulua në zonën e Shënvlashit në Durrës.
Policia bën me dije se është arrestuar babë e bir, Sherif dhe Igli Kola, si edhe tre punonjës të OSHEE të cilët nuk kanë raportuar krimin, Dritan Axhami, Serkid Pelinci dhe Agron Koçi.
Babë e bir kishin përshtatur banesën për kultivim kanabasi me ndihmën e llampave elektrike, njësoj si modeli shumë i përhapur i ‘shtëpive të barit’ në Angli.
Policia bën me dije gjithashtu se kanë sekuestruar 15 kg kanabis dhe 254 rrënjë kanabis sativa në katin e katërt të banesës së Sherif Kolës.
Detaje nga policia:
Gjatë operacionit goditet një rast i kultivimit të bimëve narkotike, me llamba.
Arrestohen në flagrancë babë e bir, për kultivim të bimëve narkotike me llamba dhe përshtatje të ambientit për këtë qëllim.
Gjithashtu, gjatë operacionit vihen në pranga edhe 3 punonjës të OSHEE-së, për moskallëzim krimi dhe shpërdorim detyre.
Sekuestrohet baza materiale elektrike që shërbente për kultivimin e kanabisit, me anë të ngrohjes.
Pas një pune gjurmuese, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, për një ambient të përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike, nga strukturat e hetimit të krimit në DVP Durrës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Durrës, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Meshigli”.
Gjatë këtij operacioni, në Shënavlash, u evidentua një banesë e përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike, në të cilën kishte lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.
U arrestuan në flagrancë shtetasi Sh. K. dhe djali i tij, shtetasi I. K., banues në fshatin Shënavlash.
Në katin e katërt të baneses së shtetasit Sh. K., u gjetën dhe u sekuestruan 15 kg e 100 gramë lëndë e dyshuar cannabis sativa dhe 254 bimë narkotike.
Në vijim të veprimeve janë arrestuar në flagrancë edhe shtetasit:
D. A., S. P. dhe A. K., punonjës së OSHEE-së, pasi nuk kanë kallëzuar për krimin dhe kanë shpërdoruar detyrën.
Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.