Efekti i qëndrimit të Berishës, kandidimi i Eduard Selamit, a do të garojë Astrit Patozi, por mbi të gjitha a po krijohen kushtet për një proces zgjedhor të drejtë. Lëvizjet e aktorëve dhe paskuintat e ditëve delikate të Lulzim Bashës
Nga Luljeta Progni
Tre ditë pas humbjes dramatike në 25 qershor, PD duket në pështjellim. Pas katër vitesh në krye të PD-së Basha është sot në momentet delikate të karrierës së tij politike. Ai ka marrë përgjegjësinë për humbjen e PD-së duke deklaruar ngrirjen e të gjitha funksioneve të tij në PD. Ishte paralajmëruar dorëheqja e tij për të hyrë më pas në garën për postin e kryetarit të partisë, por Basha zgjodhi këtë tërheqje përmes ngrirjes dhe deklaroi hapjen e garës në Partinë Demokratike.
Pas deklaratës së Bashës, u shfaqën nëpër media e rrjete sociale ish-drejtuesit e PD-së, Imami, Topalli, Bregu, Ruli e shumë të tjerë, duke e akuzuar Bashën si fajtorin e vetëm për humbjen dhe i kërkuan të largohet nga Partia Demokratike. Në deklaratat e tyre pati një gjuhë të ashpër, thirrje për protesta deri në largimin Bashës me dhunë nga Partia Demokratike. Ndërkohë Basha i kishte akuzuar ata si pjesë e kësaj humbjeje pasi sipas tij nuk u angazhuan për fitore, por për të kundërtën.
Loja me dy lista
Më herët, para deklaratës së Bashës, anëtarë të forumeve të larta drejtuese të PD-së, të të gjitha moshave e grupimeve, të ndarë në dy lista të ndryshme, kërkuan dorëheqjen e Lulzim Bashës. Listat kanë një ndryshim thelbësor, sepse njëra prej tyre kërkonte dorëheqjen e parevokueshme të Bashës si kryetar i PD-së, ndërsa tjetra kërkonte dorëheqje pa e specifikuar. Në listën e parë ishin renditur ish-drejtuesit e rëndësishëm të PD-së, si: Genc Ruli, Astrit Patozi, Majlinda Bregu e të tjerë ndërsa në listën e dytë ishte një tjetër kategori, përgjithësisht me anëtarë të rinj të forumeve të larta drejtuese të kësaj partie. Atje ishte edhe dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi. Ky detaj u lexua si një qëndrim i Berishës, i cili ende nuk kishte folur për humbjen e Bashës. Por shpejt Jamarbër Malltezi e korrigjoi qëndrimin duke u larguar nga kërkesa për dorëheqjen e parevokueshme të Lulzim Bashës.
U duk si një lëvizje e Berishës deri dje kur ai foli për humbjen e zgjedhjeve.
Berisha kërkoi përbashkimin si e vetmja rrugë për ringritjen e PD-së që me sa duket e sheh si mundësi për të ndodhur me një garë ku të jetë kandidat edhe Lulzim Basha. Për të Berisha, duke shprehur dakordësi, tha se kryetari Basha pranoi përgjegjësitë dhe mori vendim për të ngrirë aktivitetin e tij si drejtues në PD. Por Berisha la një shteg edhe për sfidantët e mundshëm të Bashës, kur tha se përveçse votat janë blerë, janë 200 mijë vota demokratësh që në këto zgjedhe munguan. Sidoqoftë, lideri historik i PD e dha një qëndrim që favorizon sërish Lulzim Bashën.
Ndërkohë, grupi i punës pranë PD-së, shpallën nisjen e procesit të zgjedhjeve në parti dhe kanë përcaktuar si ditën e zgjedhjeve 22 korrikun. Pra është më pak se një muaj kohë për sfidantët e Bashës për të kryer garën në anëtarësinë e partisë. Është një periudhë e shkurtër për ta dhe e pamjaftueshme për të bindur anëtarësinë për alternativën e tyre.
Në kërkim të një kandidati
Por kandidati i parë sfidant përballë Lulzim Bashës është shfaqur dhe është Eduard Selami, ish-themelues i PD-së. Selami nuk i përket asnjërës prej listave të kundërshtarëve të Bashës ndaj dhe po shihet prej tyre si një kandidim për të legjitimuar procesin. Ndërsa ish-drejtuesi i lartë i PD-së, Astrit Patozi i ka mbledhur firmat e nevojshme sipas statutit, për të qenë kandidat për kryetar i PD-së. Por me shumë gjasa ai do të tërhiqet nga kjo garë sepse do të bëhej pjesë e saj vetëm nëse Basha do të jepte dorëheqjen e parevokueshme.
Është disi e kundërta e situatës që ndodhi në PS rreth një vit më parë, kur kreu i PS-së Edi Rama refuzoi proces zgjedhjesh në PS edhe pse i kishte përfunduar mandati në krye të partisë. Ai zgjodhi të kryente referendum për besimin e anëtarësisë te kryetari duke i mohuar kështu të drejtën për të hyrë në garë Ben Blushit, i cili e kishte deklaruar ambicien e tij për të qenë sfidant i Ramës.
Në rastin e Patozit ndodh ndryshe, ai refuzon të hyjë në një garë, kur është edhe Lulzim Basha sepse pretendon në manipulimin e procesit.
Të gjitha elementet e këtij procesi debatesh në PD japin një panoramë të ngjashme me atë të vitit 2013, kur Berisha dha dorëheqjen nga posti i kryetarit të PD-së dhe hapi garën për zëvendësin e tij në këtë detyrë. Por ndryshimi është se Berisha dha dorëheqje të parevokueshme, pra nuk do të ishte më pjesë e garës. Në garë përballë Bashës ishte i ndjeri Sokol Olldashi, një prej ish-drejtuesve të rëndësishëm të Partisë Demokratike, me një përvojë të gjatë e kontribute të konsiderueshme në PD, kryesisht kur ishte në opozitë. Burime pranë grupit të mbështetësve të Astrit Patozit thanë se nëse nuk do të ketë kushte të barabarta gare, ai nuk do të hyjë në këtë proces. Në një rast të tillë, sigurisht që nuk priten surpriza në zgjedhjen e kreut të PD, por ndoshta pasoja pas saj.