Juventusi këtë sezon është shumë larg pritshmërive, duke treguar se nuk po kalon një moment të mirë në Seria A, që pas largimit të Cristiano Ronaldos.
“Zonja e Vjetër” dukshëm këtë sezon po vuajnë edhe për golat e shënuar, teksa transferimin e një sulmuesi e shikojnë primar në merkaton e janarit, me një Dybala që nuk po luan rregullisht për shkak të dëmtimeve të shpeshta që po merr.
Në pistë prej kohësh ka dalë emri i Mauro Icardit, i cili shikohet si njeriu gol nga bardh e zinjtë dhe mund të zgjidhi “hallet” e Juventusit para portës së kundërshtarëve.
Sipas “Tuttosport” ka 3 arsye që fatet e Icardit dhe Juventusit të bëhen bashkë.
Së pari, Juventusi mund të përballojë pagën e futbollistit, por gjithashtu shpreson të në shkruajë për një huazim 6-mujor me opsion blerjeje në fund të sezonit.
Së dyti, Icardi aktualisht nuk po kalon një moment të mirë te PSG, konkurrenca e madhe në sulm me Messi, Mbappe dhe Neymar ka bërë që të ketë shumë pak minuta të dhëna nga Pochettino, ku në 18 ndeshje ka shënuar vetëm 3 gola.
Së treti, Juventusi mund të ofrojë gjithashtu edhe mesfushorin Arthur për të bërë të mundur transferimin e Icardit.
Ndërmjetësit tashmë po punojnë për të realizuar marrëveshjen, megjithëse PSG do të dëshironte të përfshijë një detyrim për të blerë në marrëveshje.