Shqipëria në Nations League sapo ka mësuar kundërshtaret e saj, që janë Rusia, Izraeli dhe Islanda. Por në të ardhmen e afërt, madje nga viti 2024, mund të takojë edhe Brazilin, Argjetinën, Uruguain ose Kolumbinë.
Kjo sepse 10 ekipet e CONMEBOL, federatës së futbollit të Amerikës së Jugut, pritet t’i bashkohen 55 ekipeve europiane, në atë që më shume se Nations League, duket një mini-Botëror.
Një plan i studiuar me kohë nga federatat e dy kontinenteve, por që u zbulua nga vetë zëvendës presidenti i UEFA, legjenda e futbollit polak, Zbigniew Boniek.
“Ky është edicioni i fundit i Ligës së Kombeve që zhvillohet me këtë format. Kemi takuar CONMEBOL dhe vendosëm që nga viti 2024, skuadrat e Amerikës së Jugut do t’i bashkohen turneut. Si do të jetë formati? Po punojmë për të. Kalendari për ndeshjet e kombëtareve është shumë i ngushtë, nuk kemi shumë mundësi manovrimi”, deklaroi ish-ylli i Juventusit.
Sipas planit, fillimisht gjashtë ekipet e para amerikano latine do të kalojnë në Ligën A, katër të tjerat në Ligën B.