Politika Basha mbledh kryesinë, propozohet largimi i personave ‘non grata’ nga PD

Basha mbledh kryesinë, propozohet largimi i personave ‘non grata’ nga PD

Lulzim Basha mblodhi këtë pasdite kryesinë e Partisë Demokratike. Vendimi i parë i marrë nga kjo mbledhje ishte ngritja e një komisioni statutor me 6 anëtarë si dhe ngritja e një organizate partnere të PD-së, me emrin “Aleanca Qytetare”.

Në mbledhje është propozuar që në strukturat qendrore të mos përfshihen individë të shpallur ‘non grata’.

“Kjo është për Sali Berishën. Ta themi qartë dhe shqip. A jemi në gjendje ta përballojmë dot këtë ndaj demokratëve?” mësohet të jetë shprehur deputetja Dhurata Çupi.

Kuvendi kombëtar i PD i thirrur nga Basha pritet të nis punimet rreth orës 11:00 të së shtunës në Pallatin e Koncerteve.

Aty do të vendoset për qëndrimin në vazhdim të partisë, por pritet të merret edhe një vendim për Berishën dhe mbështetësit e tij. Kuvendi do zgjasë rreth 5 orë dhe do marrin fjalën rreth 30 demokratë.

Nga ana tjetër, Berisha kërkon me referendum votat e 75 mijë demokratëve për shkarkimin e Bashës.

Është ngritur një komision që do të merret me organizimin e këtij referendumi i përbërë nga Albana Vokshi, Keltis Kruja, Edith Harxhi, Eno Bozdo dhe Ervin Minarolli.