Ish-ministri i Drejtësisë nga radhët e LSI-së, Ylli Manjani, ka marrë pjesë në protestën e thirrur nga Sali Berisha përballë Kryeministrisë.
Gjatë fjalës së tij, duke folur për vizitën e Presidentit serb Vuçiç në Shqipëri dhe darkës së tij me kryeministrin Rama, Manjani tha se “po hanë trutë e peshkut për të na shitur trutë e gomarit”, duke iu referuar darkës te “Fish City” të organizuar këtë mbrëmje nga kryeministri Rama për të ftuarit, Vuçiç, Zaev dhe delegacionet e tyre.
“Demokratë jeni gjallë apo jo? Faleminderit për ftesën. Nuk kam ardhur për qokë, as për patriotizëm sepse ne nuk jemi patriotë, jemi shqiptarë dhe kjo është shumë më e rëndësishme. Sonte në Shqipëri na kanë ardhur mysafirë dhe bashkë me të zotin tonë të shtëpisë po hanë trutë e peshkut për të na shitur trutë e gomarit por kjo nuk shkon. Me trutë e gomarit nuk shkon as Shqipëria, as Serbia dhe as Maqedonia. Kjo është histori gomerësh. Përulem para jush me një respekt të thellë, për një proces të jashtëzakonshëm, demokratik. Ju i keni dhënë Shqipërisë një model që nuk e kishte parë, ju u vetëorganizuat. Demokracia në Shqipëri ka dy armiq, janë faqezinjtë dhe kapuçzinjtë. Për kapuçzinjtë kam një ftesë, shkoni në shtëpi se ju presin fëmijët, mos i bëni me turp sepse nuk e ndalni dot vullnetin e anëtarësisë”.
Për Presidentin Vuçiç, Manjani bëri thirrje që të njohë Kosovën. Ndërsa për Kryeministrin Rama tha se nuk ka të drejtë dhe as autorizim për të përfaqësuar gjithë popullin në procesin e “Ballkanit të Hapur”.
“Në qoftë se nuk njohin Koosvën, nuk njohin as Shqipërinë. Unë nuk jam diplomat, por kjo është e thjeshtë. Kush nuk njeh Kosovën, unk e njeh Shqipërinë. Prandaj nëse do të jesh mik me shqiptarët, njih Kosovën, kjo është s’ka tjetër. Përndryshe ne të respektojmë si mysafir, të bëftë mirë peshku dhe rrugë të mbarë. E kemi me të zotin e shtëpisë, ai s’ka autorizimin për të na përfaqësuar për çështje të tilla. Nuk mund të ecim më as me tru peshku as me tru gomerësh. Kemi detyrë të jemi në krah të Kosovës dhe nuk mund të jemi në asnjë tryezë në krah me serbët dhe përballë me Kosovën”.