Kulturë Çmimet Kombëtare të Letërsisë 2020, Flutura Açka fituese e prozës më të...

Çmimet Kombëtare të Letërsisë 2020, Flutura Açka fituese e prozës më të mirë

Në një atmosferë poetike fundviti u zhvillua ceremonia e ndarjes së çmimeve kombëtare të Letërsisë.

Në ceremoninë e organizuar ishte e pranishme ministrja e Kulturës, Elva Margariti, shkrimtarë, poetë, njerëz të njohur të artit, etj.

“Një zgjedhje e vështirë, shenjuar me emra të rëndësishëm të letrave shqipe. Falënderime jurisë për përkushtimin dhe rëndësinë që i dhanë këtyre çmimeve, që s’janë veçse mirënjohja jonë për të gjithë ata që na e bëjnë jetën më të bukur. Faleminderit Mehmet Kraja, Elda Gjana, Ardian Ndreca, Ylljet Aliçka, Shezai Rrokaj”, theksoi Margariti.

Për këtë vit kishte vetëm një risi, çmimi honorifik, i cili u dha për herë të parë.

“Çmimi honorofik ‘Muza’, i jepet këtë vit poetit Petrit Ruka me motivacionin: Poet i thellësive, i dashurisë dhe dhimbjes që me kalin e bardhë të poezisë tejkaloi çdo kufi kohor e hapësinor”, tha ministrja e Kulturës Elva Margariti.

Vepra më e mirë në prozë u shpall ajo e shkrimtares Flutura Açka që ja kushton të Birit të saj.

Kryetari i jurisë, për çmimet kombëtare, njëkohësisht dhe kryetar i Akademisë së Kosovës, ndau çmimin për veprën studimore më të mirë, që ju dha akademikut Artan Fuga. Vetë Mehmet Kraja u ndal tek rëndësia e këtyre çmimeve që organizohen çdo vit nga Ministria e Kulturës.

“Çmimet letrare nuk e bëjnë letërsinë e as nuk vendosin hierarkinë e vlerave, janë vetëm një mjet ndihmues në popullarizimin e vlerave letrare”, tha Mehmet Kraja.

“Udhëtimi i Babagjyshit në qytetin e 1001 dritareve” nga shkrimtarja Persida Asllani fitoi çmimin e letërsisë më të mirë për fëmijë.

“Prilli i hidhur” i Bardhyl Londos u shpall vepra më e mirë poetike e 2020-ës, ndërsa çmimin  e përkthimit më të mirë e mori Granit Zela, “Lepur Vrapo” nga autori John Updike.

Çmimi për librin më të mirë studimor:

Artan Fuga, “Origjinat”, botimet “Papirus”

Çmimi për librin më të mirë për fëmijë:

Persida Asllani, “Udhëtimi i Babagjyshit në qytetin e 1001 dritareve”, botimet “Pegi”

Çmimi për vëllimin më të mirë poetik:

Bardhyl Londo, “Prill i hidhur”, botimet “Onufri”

Çmimi për përkthimin më të mirë:

Granit Zela, “Lepur vrapo” nga John Updike, botimet “Albas”

Çmimi për librin më të mirë në prozë:

Flutura Açka, “Biri”, botimet “Skanderbeg books”