Një sasi e vogël eksplozivi ka shpërthyer në Sauk mbrëmjen e kësaj të hëne. Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Selim Brahja” në kryeqytetet, ndërsa nuk ka persona të lënduar, por vetëm dëme materiale. Mësohet se janë dëmtuar dy xhamat e parë të dy mjeteve që ndodheshin të parkuar.
“Më datë 20.12.2021, në Sauk, në rrugën “Selim Brahja”, rreth orës 19:45, në rrugën dytësore që del për në rrethrrotullimin e Saukut, afër nënkalimit, dyshohet se ka plasur një sasi e vogël lëndë plasëse dhe për pasojë janë dëmtuar dy xhamat e parë të dy mjeteve që ndodheshin të parkuara”, njoftoi policia.
Policia dyshon se janë hedhur rreth 30-50 gram eksploziv në një shkurre në rrugë pranë nënkalimit të Saukut në rrugën dytësore. Sipas të njëjtave burime, tritoli është hedhur në disa shkurre ku dhe ka shpërthyer. Pranë vendit nuk ka objekte apo ndërtesa dhe nuk është e qartë shënjestra.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.