Politikani nacionalist rus, Vladimir Zhirinovsky, ka sugjeruar bombardimin ushtarak të Ukrainës në natën e Vitit të Ri, kur shumë njerëz mund të jenë të dehur.
Deputeti i Parlamentit rus dhe lideri i Partisë Demokratike Liberale të Rusisë, i ka bërë këto komente të hënën gjatë një transmetimi televiziv, teksa Perëndimi i sheh me shqetësim trupat ruse afër Ukrainës, dhe si diçka që mund të rezultojë me pushtim të shtetit.
Zhirinovsky, i cili njihet për komentet e tij të ashpra, ka thënë në kanalin televiziv, Channel One se nëse ai do të ishte president, ai do ta bombardonte Ukrainën mes 31 dhjetorit dhe 1 janarit në orën 4 të mëngjesit kur “secili është i dehur”.
“Dikush duhet t’i ndëshkojë ata, dikush duhet t’i frikësojë ata”, ka thënë ai një ditë pasi ka sugjeruar se Rusia duhet të aneksojë gjithë Ukrainën.
Lideri çeçen, Ramzan Kadyroz, i njohur po ashtu për udhëheqësi të ashpër në rajonin e Kaukazit në Rusi, ka thënë më 26 dhjetor se ai është gati të ndihmojë në aneksimin e Ukrainës.
“Ukraina duhet të aneksohet në shtetin tonë, ky është territori ynë”, ka thënë Kadyrov.
Për këtë retorikë të ashpër është raportuar pasi Shtetet e Bashkuara dhe aleatët evropianë e akuzojnë Rusinë se është duke kërcënuar me pushtim të mundshëm të Ukrainës.
Rusia veçse ka pushtuar Krimenë dhe mbështetet separatistët në lindje të Ukrainës, të cilët luftojnë për gati tetë vjet.
Rusia ka mohuar se synon pushtim, duke akuzuar Ukrainën dhe NATO-n për provokime.