Për t’i dhënë fund përçarjes në radhët e demokratëve, Lulzim Basha ftoi të gjithë ata anëtarë të Partisë Demokratike që tha se janë përdorur nga ish-kryeministri Berisha për interesat e tij personale.
“Kjo vlen për të gjithë demokratët e sakrificave, kjo vlen për demokratët e qëndresave, kjo vlen për të rinjtë dhe të rejat, vlen për të gjithë përveç një grushti njerëzish që ju i njihni fare mirë , që kanë abuzuar me pushtetin e fituar përmes sakrificave të demokratëve dhe që sot janë gati ti përplasin demokratët me forcë men njëri tjetrin, të shkatërrojnë Partinë Demokratike për karriget e tyre, për interesat e tyre personale. Unë e kuptoj që detyra ime e parë është ti japim fund çdo kakofonie brenda familjes tonë, ti hapim krahët dhe të mirëpresim të gjithë ata që kishin humbur rrugën dhe sot e dinë se përmes bashkimit vjen fuqia dhe fuqia e demokratëve të bashkuar është e papërballueshme nga Edi Rama dhe çirakët e tij”, tha Basha gjatë një takimi me strukturat e PD në Dibër.
“Rama dhe Berisha janë bashkë”
I vendosur është për t’i dhënë fund të shkuarës komuniste në radhët e demokratëve duke i kujtuar Sali Berishës se është kthyer në tub oksigjeni për Edi Ramën.
“Është kjo alibi që sot për fat të keq bashkon Edi Ramën me Sali Berishën. Ne duhet ti japim fund dhe do ti japim fund kësaj alibie. Të zgjedhim të ardhmen do të thotë të shkëputemi nga tranzicioni, të lëmë pas hijet e të shkuarës, të bashkohemi në betejën me armikun e përditshëm të mirëqenies së shqiptarëve, korrupsionin dhe shkaktarin e këtij korrupsioni Edi Ramën dhe qeverisjen e tij”.
“Berisha vendosi interesin personal mbi partinë”
Basha, tha se ai vetë, por edhe PD, e kishin të pamundur të ndikonin në vendimin e Departamentit të Shtetit, për të ndryshuar vendimin e shpalljes “non grata” të Sali Berishës.
“Ne nuk kishim në dorë asgjë, në vendimin e aleatit tonë strategjik. As mund ta ndikonim, as mund ta ndalonim. Shpallja “non grata” e Sali Berishës, është një vendim që është marrë nga aleati jonë strategjik Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ju e dini se për muaj me radhë unë kam punuar me të dhe me partnerët tanë strategjik për të gjetur një zgjidhje pikërisht, për t’ia hequr këtë luks Edi Ramës. Por në fund, njeriu që me të vërtet ka bërë shumë për këtë parti, por dhe ka marrë shumë nga kjo parti, vendosi interesin e tij personal mbi interesat e demokratëve dhe ç’është më e keqja mbi interesat e të gjithë shqiptarëve. Kjo është e vërteta e qartë dhe e qëruar, gjithçka tjetër është gënjeshtër e sido që të serviret, prapë gënjeshtër ngelet”, tha Basha.
Akuzat ndaj kryeministrit i vijoi edhe nga Dibra, duke e bërë përgjegjës për korrupionin, vjedhjen e zgjedhjeve të 25 Prillit, aferën e inceneratorëve dhe skandalin e publikimit të të dhënave personale të mbi 630 mijë shqiptarëve.
“E vërteta është krejt ndryshe, e vërteta është se pushteti është një grabitqar i xhepave të popullit, e vërteta është se pushteti nuk buron nga populli, e vërteta është që pushteti është i përqendruar në pak duar. Në duart e Edi Ramës, i cili është gati që të bëjë gjithçka që ta mbaj këtë pushtet.”
Ky tur i takimeve të Lulzim Bashës me anëtarësinë vjen pas mbledhjes së këshillit kombëtar, në të cilën kryedemokrati u kërkoi drejtuesve politikë në qarqe të ishin në terren për të vijuar aksionin politik.