Joe Biden dhe Vladimir Putin shkëmbyen edhe një herë paralajmërime me njëri-tjetrin për krizën e Ukrainës dhe nuk bënë asnjë përparim në ç’tensionimin e situatës gjatë bisedës telefonike 50 minutëshe në orët e vona të së Enjtes.
Shefi i Shtëpisë së Bardhë paralajmëroi homologun e Kremlinit se do të përballet me atë që e konsideroi “përgjigje vendimtare” nga perëndimi, nëse ushtria ruse sulmon Ukrainën. Biden i bëri thirrje Rusisë të ç’tensionojë urgjentisht situatën dhe të ushqejë zgjidhjen diplomatike.
Por për Putinin, sanksionet me të cilat perëndimi kërcënon Rusinë do të ishin një “gabim fatal” me ndikim negativ të jashtëzakonshëm për marrëdhëniet mes palëve. Presidenti rus kërkoi garanci se NATO nuk do të anëtarësojë Ukrainën dhe këtë kërkesë do ta parashtrojë edhe në takimin e 10 Janarit në nivel zyrtarësh të lartë mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.
Sakaq mediat flasin për rikthim të manovrave ushtarake në kufirin rus me Ukrainën, gjatë të cilave Moska mund të ketë testuar edhe raketa që kapërcejnë shpejtësinë e zërit.