Viti 2021 regjistroi 60 krime me vrasje, 8 më shumë se në 2020. Pjesën më të madhe të ngjarjeve kriminale e zënë konfliktet banale. Nuk është i ulët as numri i vrasjeve tipike mafioze.
“Ne vazhdojmë të mbetemi një vend që pjesa më e madhe që ndodh në Shqipëri ju përkasin atyre të ndodhura me motive të dobëta, në grindje e sipër. Dhe një kategori e caktuar janë vrasje të fshehta ose vrasje që ne i konsiderojmë vrasje me prapavijë krimin e organizuar”, u shpreh Tonin Vocaj, drejtori i Departamentit për Policinë Kriminale.
Ngjarjet me prapavijë të këtij lloji kanë vështirësi në zbulim, dhe kërkojnë një angazhim më të madh nga autoritetet.
Rreth 30% e totalit të vrasjeve ose 18 prej tyre kanë si zanafillë përplasjen mes bandave kriminale. Ekspertët thonë se këto ngjarje krahas viktimave që lejnë pas, kanë dhe kosto të lartë financiare.
“Krimi ka progresin e vet, ashtu siç ka dhe shteti progres. Rriten të ardhurat financiare, rriten mundësinë për konflikte të mëdha për trafiqe apo lojëra fati. Në këtë kuadër edhe krimi ka kurbën e vet rritëse”, u shpreh Artan Rexhepi.
“Vrasjet me prapavijë krimin e organizuar për të cilat është investuar një punë e gjithanshme hetimore. Kemi sqaruar disa prej këtyre vrasjeve ashtu siç kemi në proces dhe në proces hetimi disa vrasje të tjera të ndodhura gjatë vitit 2021”, u shpreh Tonin Vocaj.
Tirana mban vendin e parë sa i takon nivelit të kriminalitetit përgjatë vitit 2021, kjo edhe për shkak të numrit më të madh të popullsisë. Policia identifikon 3 qarqe si problematike për krimet e vrasjeve në vitin 2021.
“Mund të veçojmë qarkun e Fierit, mund të veçojmë qarkun e Shkodrës, mund të veçojmë qarkun e Tiranës, është qarku me numrin më të madh të popullsisë dhe është e natyrshme që të ketë dhe një numër më të madh kriminaliteti në raport me qarqet e tjera”, deklaroi Vocaj.
Por a ka sot policia e shtetit një bazë të dhënash ku janë të evidentuar të gjithë grupet kriminale që veprojnë në vend?
“Ne kemi një dinamikë të qartë dhe të qëndrueshme në punën për evidentimin, dokumentimin ligjor dhe goditjen e grupeve kriminale. Për këtë çështje kemi hetime të rëndësishme në ndjekje me Spak. Nuk flasim vetëm në fushën e krimeve të rënda por dhe në fushën e krimit të organizuar, në fushën e trafikut të drogës”, tha ai.
Krimi brenda familjes është gjithashtu shqetësues sa i takon shifrave të vitit 2021. Rreth 27% e vrasjeve të regjistruara i përkasin kësaj kategorie. Viktimat në pjesën më të madhe kanë qenë gra ose vajza madje të pajisura dhe me urdhër mbrojtje.
“Përsa i takon dhunës në familje, kam një opinion timin, mendoj se keqmenaxhohet dhe nga pikëpamja ligjore dhe nga ajo e menaxhimit policesk”, u shpreh Artan Rexhepi.
Policia ka parandaluar 3 raste të një krimi të mundshëm në familje por sërish kjo shifër duhet përmirësuar.
Shifrat e larta të krimit rritën ndjenjën e pasigurisë tek qytetarët. Kjo gjendje detyroi autoritetet të bënin ndryshime në radhët e drejtuesve të policisë.
Orët e para të mëngjesit të 27 qershorit, do të shënonin një nga ngjarjet më të rënda të vitit. Një konflikt për ndarjen e shezlongëve të plazhit do të shkaktonte 4 viktima në Velipojë.
Kjo ngjarje solli riformatimin e parë të strukturës së policisë.
Drejtuesit e rinj të ndryshuar, në pjesën më të madhe nuk ishin të panjohur megjithatë ata kishin një detyrë të vështirë.
Rreth tri javë nga përfundimi i këtij afati një tjetër ngjarje e rëndë do trondiste opinionin publik. Këtë herë i vrarë mbeti një efektiv policie në Lezhë. Saimir Hoxha u vra në krye të detyrës nga 21 vjeçari, Aldi Rama.
Disa ditë pas kësaj ngjarje që i dha dhe një goditje uniformave, dorëhiqet nga detyra e drejtorit të përgjithshëm i policisë së shtetit, Ardi Veliu.
Vendimi i tij erdhi pak ditë para përfundimit të afatit të caktuar nga kryeministri Rama.
10 ditë nga emërimi i tij në këtë post, Gledis Nano i dha një tjetër organizim policisë duke ndryshuar 11 drejtues në qarqe. Lëvizjet kishin si matës performancën e drejtorive vendore në 100 ditë, ndonëse në pjesën më të madhe të tyre drejtuesit ishin figura që prej vitesh mbajnë poste në polici.
“Organizata e policisë së shtetit është një organizatë e madhe, dhe është gjithmonë dinamike. Edhe puna që po bëhet në këtë fundvit dhe do të vazhdojë dhe në fillim të vitit tjetër për një strukturim tërësor dhe organizativ të policisë, mendoj se do të shërbejë për afrimin më shumë të policisë me qytetarët, për rritjen e punës parandaluese dhe goditëse të policisë së shtetit dhe çështja më e rëndësishmja përmirësimin akoma më shumë të treguesve të rendit dhe sigurisë publike në vend, uljen e kriminalitetit të rëndë dhe dominimin e situatës në luftën kundër krimit të organizuar”, tha Vocaj.
Por a ishte performancë e policisë në nivelin e duhur për të luftuar kriminalitetin dhe ofruar rend e sigurinë e kërkuar?
“Sigurisht, sipas ligjit ka dhe vlerësim të punës së bërë çdo vit. Mund të them me bindje të plotë që vitet e fundit është fakt që policia e shtetit është jo vetëm një institucion I cili gëzon një besim të shtuar të qytetarëve shqiptarë, por ka dëshmuar përmes operacioneve të ndryshme apo ushtrimit të kontrollit në territor, për zhvillimin e kapaciteteve. Të gjitha këto janë zhvillime të cilat dëshmojnë për një progres të vazhdueshëm të policisë së shtetit”, tha Besfort Lamallari.
Viti 2022 mund të konsiderohet viti i sfidës për policinë. Pritshmëritë e larta në luftën kundër krimit kanë përcaktuar dhe prioritetet e punës që do shoqërojnë uniformat blu.
“Ne duhet të zhvillojmë më tej kapacitetet profesionale dhe teknologjike të policisë së shtetit duke i ofruar të gjitha mundësitë që sot ofron teknologjia e zhvilluar në drejtim të parandalimit të krimit në përgjithësi, të kontrollit më të mirë dhe të plotë të territorit dhe zbulimit efektiv të ngjarjeve kriminale sado komplekse të jenë ato”, tha Besfort Lamallari:
“Lufta kundër krimeve të rënda, zbulimi, dokumentimi si dhe vënia përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të cilët kryejnë vrasje kriminale në Shqipëri do të mbetet një sfidë e rëndësishme e policisë edhe për vitin 2022”, deklaroi Vocaj.
Viti i ri do të duhet të rikthejë në polici meritokracinë, që prej gati 3 vitesh u mohohet policëve. Hapja e gradave dhe promovimi i shumë punonjësve pritet ti japë policisë së shtetit një tjetër fytyrë.
Burimi: Euronews Albania