Një i vrarë dhe 4 të plagosur është bilanci tragjik i të shtënave me armë në një lokal në zonën e Don Boskos në kryeqytet këtë të martë.
Viktima është Erion Çela, 35 vjeç. Ndërsa të plagosur mbetën vëllai i tij, Blerim Çela, 28 vjeç, Arben Dani 46 vjeç, Edmond Crroj 41 vjeç dhe Azbi Selimaj, 19 vjeç. Ky i fundit mësohet se punonte si kamarier në lokalin ku ndodhi ngjarja. Së bashku me 3 të plagosurit e tjerë ai ndodhet në spitalin e Traumës, nën kujdesin e mjekëve.
Shkaqet e kësaj masakre që vjen në ditët e para të vitit mbeten të panjohura. Zyrtarisht policia tha se autorët, identiteti i të cilëve nuk dihet, hapën zjarr nga jashtë lokalit, në kohën kur personat që ranë pre e plumbave ndodheshin të ulur në tavolinë.
Mes të plagosurve dhe daja i viktimës. Person me precedentë penalë
Teksa viktima Erion Çela, 35 vjeç, me origjinë nga Dibra, nuk raportohet të ketë precedentë penalë, daja i tij Edmond Crroj rezulton me precedentë të mëparshëm penalë për drogë jashtë vendit. Ai mësohet se më parë ka mbajtur dhe emrin Adriatik Crroj.
Megjithatë, mbetet e paqartë nëse ngjarja ka ardhur për larje hesapesh apo si pasojë e një konflikti të çastit.
Autorët, identiteti i të cilëve nuk dihet ende, u larguan me një Mercedez Benz me targa të vjedhura nga një makinë Smart në Tiranë.
Autorët dyshohet se hapën zjarr nga brenda makinës dhe personi që qëlloi dyshohet të ketë qenë një i vetëm. Edhe makina me të cilën ata udhëtonin dhe u larguan dyshohet se është e vjedhur.
4 të plagosurit ndodhet në spitalin e Traumës, nën kujdesin e mjekëve. Ndërsa policia është vënë në ndjekje të autorëve dhe po punon për zbardhjen e ngjarjes së rëndë.