Roland Shëmbitrasi 39 vjeç është shqiptari i ekzekutuar mëngjesin e djeshëm rreth orës 04:40 në lagjen “Glyfada” në Athinë.
Tvklan.al ka mësuar se shqiptari i vrarë ishte baba i dy vajzave. Roland Shëmbitrasi është me origjinë nga Korça dhe ka jetuar në Librazhd. Më pas, së bashku me familjen ka emigruar në Greqi ku dhe jetonte për disa vite me radhë në Athinë.
Mediat greke thonë se ai ishte bashkëpronar në lokalin e natës “Joy Bar”, ku dhe u ekzekutua.
Atentatorët u afruan pranë tavolinës ku po qëndronte në verandën e lokalit dhe e qëlluan tre herë me armë.
I plagosur mbeti edhe një shqiptar tjetër i quajtur Gjergji Kapaj. Hetuesit grekë dyshojnë se ngjarja mund të ketë lidhje me trafikun e drogës.
Roland Shëmbitrasi njihej edhe me nofkën Roni në lagjen Glydafa.
Në një postim në Facebook ditën e djeshme, lokali “Joy” shkruan se ngjarja ndodhi jashtë ambienteve të lokalit dhe nuk ka lidhje me të.
Vrasja e shqiptarit në qendër të Athinës i ngjan një ekzekutimi mafioz në vitin 2011 po në kryeqytetin grek dhe dyshimet janë se mund të jenë të njëjtët autorë.