Bota Çe Guevara, një mit që nuk perëndon kurrë

Çe Guevara, një mit që nuk perëndon kurrë

Me rastin e 50-vjetorit të vrasjes

Edhe pse jam marrë shumë me Çe Guevarën, edhe pse kam shkruar katër libra për të (të parin me bashkautor gazetarin e njohur Dhimitër Shtëmbari), përsëri nuk ndjej të ngopur. Sa herë që ulem të lexoj apo të shkruaj, sytë shkojnë pa dashje në portretin e tij më të dukshëm të bibliotekës sime, dhe dora më shkon në librat e shkruar për të në të gjitha gjuhët e botës, që unë, për fat dhe për “derrllëkun” tim manjak, i kam me shumicë. Atë që do të thosha në këtë rast, ishte se, në se do të qe një Panteon botëror i rezervuar për njerëzit që kanë lënë gjurmë të thella në luftën për liri e drejtësi sociale, hiri i Çe Guevarës do të qe vendosur pikërisht atje, sepse rrallë herë, ndoshta kurrë, një figurë, një emër, janë bërë kaq universalë, madje me shpejtësi e me një forcë pasioni marramendës.

Sensi heroik i jetës së Çe Guevarës dhe vënia e saj në dispozicion të njerëzimit më ka frymëzuar që kur isha në shkollën pedagogjike “Petro Nini Luarasi” në Korçë, në vitin 1967, vit kur Çe Guevara u vra në Valle Grande të Bolivisë dhe unë me disa shokë të mi të shkollës dëgjonim radiot e huaja, që jepnin lajmin e vrasjes.  Nuk e kuptoj pse në ato vite në Shqipëri propaganda heshti rreth kësaj figure tepër interesante! Ernesto Çe Guevara rritet dhe lartësohet gjithmonë e më shumë në të gjithë botën, duke prezantuar shpresën, shembullin dhe stimulin në luftën për një shoqëri më të mirë. Të majtët e vërtetë duhet të ndjehen krenarë që shekulli i 20-të fiksoi në historinë e vet një njeri të atillë si Ernesto Çe Guevara.

Jeta dhe vepra e tij është madhështore. Vetëm midis viteve 1959 – 1999 bibliografia esenciale mbi Çe Guevarën numëronte mbi 400 vepra të botuara në çdo pjesë të botës dhe të përkthyera në dhjetëra gjuhë. Ndërsa unë, si një nga dhjetëra biografët e tij, e klasifikoj Çe Guevarën si “hero të mitologjisë revolucionare” apo si “personifikimi i njeriut të pakorruptueshëm”.

Si njeri me ide transformuese ngulte këmbë mbi nevojën e fitores shkencore mbi bazën e analizave të fakteve historike, politike, sociale e ekonomike.

Si njeri, karakterizohej nga një shpirt i gjerë dhe gjithnjë sillej me etikë. Këmbëngulte për dhënien e shembullit personal, duke e konsideruar këtë si një akt të madh për të tërhequr pas vetes të gjithë të tjerët. Tek ky shembull ai shikonte masën e guximit e të trimërisë për të përballuar dhe shpartalluar armiqtë. Sigurisht, Çe Guevara nuk pati abuzuar kurrë me çka bënte dhe me çka arrinte. Gjithçka e jepte në popull si diçka të natyrshme. Duke mos u shtënë se ishte ai, pa kryheshin veprime revolucionare në dobi të popullit. Megjithatë, në sytë dhe mendjen e shumë njerëzve, ai dukej “një i shenjtë”.

Udhëheqësi legjendar i gueriljeve latino – amerikane nuk kish dashur kurrë të paraqitej si mbartës i komunizmit romantik apo ireal. Ai nuk do të kishte dashur kurrë që figura e tij  të mund të shndërrohej qoftë edhe në një ikonë të bukur, me të cilën të mund të zbaviteshin shtypësit, për të cilët ushqente një mëri të jashtëzakonshme. Ai do të kishte dashur të mbeste, sikur dhe mbeti, thjeshtë një njeri, që iu kushtua vetëm Revolucionit.

Djaloshi i pashëm argjentinas, që luftoi kundër padrejtësisë në Guatemalë, Kubë, Kongo, Bolivi etj, i dha shumë energji, shkëlqim e dritë revolucionit, sido që ky i fundit ka çmimin e rëndë të vuajtjeve e të kurajos së jashtëzakonshme. Filozofia e dashurisë për njerëzit e mjeruar e detyroi Çe Guevarën për të luftuar në këto vende, kur dihet që në vitet 60-të sundonin juntat ushtarake diktatoriale si ajo e Çombes dhe Mobutus, në Kongo; e Barrietos, në Bolivi; e Kastillo Armes, në Guatemalë etj.

Është e famshme për rininë progresiste në botë, kënga revolucionare shumë e dashur dhe shumë popullore e Karlos Pueblos, “Komandanti Çe Guevara”. Të paharruar dhe të famshëm Çe Guevarën e bënë këngët dhe vidioklipet e këngëtares kubaneze, Nathalie Cardonas. Në Itali u vunë në garë 14 autorë këngësh dhe muzikantë të shquar me temën “Çe Guevara”. Për të kanë kënduar Domeniko Modunjo me këngën “Ç’era un ragazzo dalla barba nera”; Serxhio Enrigo me këngën “Anch’ io ti ricordero”; Loredana Berte me këngën “Il Komandante Çe Guevara” dhe mjaft kengëtarë të tjerë si Xhovanoti, Roberto Massari, Gianni Toti. Po ashtu për të kanë folur publikisht, i kanë kënduar dhe kompozuar këngë mjaft të bukura Xhon Lenon dhe Bob Marley, poetët Hans Magnus Enzensberger, gjerman dhe amerikani Allen Ginsberg etj. Më ka befasuar për mënyrën e të shkruarit dhe për mjeshtërinë artistike një vjershë e vetme e Çe Guevarës, e titulluar “Plaka Marie”, të cilën e kam përkthyer në gjuhën shqipe nga italishtja. Aty ai me mjeshtëri artistike denoncon padrejtësinë, gënjeshtrën, hipokrizinë dhe mjerimin.

Sot industria e konsumit përfiton shumë nga emri i tij. Figura e personazhit latino-amerikan është shpesh objekt i tezave të provimit në universitetet më të mira në botë. Idealet, që mbronte, kauza e drejtë në favor të të shtypurve dhe vrasja e pabesë, e shndërruan atë në mit, në krye engjëll. Prandaj poetët, kompozitorët, kantautorët nga e gjithë bota e kujtojnë me admirim dhe i thurin himne.

Për të shkruar mbi Çe Guevarën kam lexuar mjaft libra në gjuhën ruse, italiane si psh, librin “Kompanjero”, të ish ministrit të Jashtëm të Meksikës, Jorge.G. Kastaneda, të botuar nga Mondadori; libri: “Çe Guevara – Historia dhe Miti”; libri: “Guerilja e Çe-së”, e shkruar nga francezi Regis Debre; “Memorie” të Andrej Gromiko; “Çe Guevara – l’uomo, l’eroe, il mito”, shkruar nga Angelo La Bella; “Çe Guevara – Ditari i Bolivisë” (italisht) e shumë libra e revista  të tjera të shkruara në gjuhë të huaja. Po ashtu më kanë ndihmuar shumë kujtimet e personaliteteve të spikatura shqiptare, që e kanë takuar personalisht Çe Guevarën.

Rinia, që po e sheh fare qartë se cili është rendi i ri botëror,  “thërrasin” Çe Guevarën. Prandaj edhe industria spekulon me portretin e tij emblematik që dominon e stamposur në bluza sportive dhe në flamujt e luftës për liri e drejtësi shoqërore, në krahët muskulozë të Tajsonit, të Diego Maradonës, të futbollistit Veron apo në imazhin luftarak të videoklipeve të Madonës apo Nathalie Kardonas, në manifestime politike, në parulla, në reklama, në distiktiva…

Djaloshi i bukur argjentinas, që luftoi kundër padrejtësive në Guatemalë, në Kubë, në Kongo, në Tanzani, në Bolivi etj, i dha shumë energji e dritë revolucionit, sidoqë ky i fundit ka çmimin e rëndë të vuajtjeve e të kurajës së jashtëzakonshme. Ernesto Guevara nuk mbeti figurë në ikonë, por ishte vetë ikona, tek e cila vijnë e do të shkojnë miliona njerëz për t’u çmallur, sepse ai dha gjithçka, për një qellim të shenjtë.

Personalisht, e pëlqej tej mase Ernesto Guevarën sepse me gjestin e tij dhe me veprimtarinë shumë të sinqertë në favor të kauzës së një shoqërie të së ardhmes, sakrifikoi gjithçka. E pëlqej edhe për faktin se është i veçantë në drejtim të vënies së interesit të shoqërisë mbi atë personal. Sjellja e tij si udhëheqës politik është e pakrahasueshme me egoizmin dhe sjelljen e politikanëve të sotëm, qofshin këta edhe në botë. Guevara dhe politikanët e sotëm janë produkt të shoqërive të ndryshme në faza historike të ndryshme. Mjafton të kujtoj që Guevara rridhte nga një familje e pasur dhe për hir të të varfërve e sakrifikoi pasurinë personale.

Unë gjykoj se përderisa në këtë botë ka varfëri dhe padrejtësi shoqërore, idetë e Çe Guevarës do të jenë prezente. Ndryshe s’ka si shpjegohet që për gjenerata të tëra kjo figurë mbetet e dashur. Dhe mbetet e tillë sepse shohin tek Ernesto Guevara njeriun idealist, që për të mirën e një populli, më saktë të të gjithë popujve, shkriu gjithçka, që kishte më të shtrenjtë, pra, jetën.

Çe Guevara në Shqipëri/ Takimi sekret me Mehmet Shehun

Marrëdhëniet diplomatike me vendin e bukur të Karaibeve gjatë viteve ‘60 bënë që midis Shqipërisë dhe Kubës të kishte kontakte  për probleme të ndryshme politike, ekonomike, kulturore etj. Në këtë kuadër shumë personalitete të jetës politike dhe kulturore të vendit tonë kanë patur rastin të takohen dhe të këmbejnë opinione me Çe Guevarën. Të tillë personalitete kanë qenë: Mehmet Shehu, Josif dhe Evelina Pogaçe, Zeqi Agolli, Bilbil Klosi, Kiço Ngjela, Mihallaq Gjinikasi, Qemal Myrseli, Labo Abazi, Tiri Çollaku etj. Madje, Pertef Hasanmataj ka takuar edhe të atin e Çe-së, Guevara Lynch.

Gjatë këtyre viteve Çe Guevarën ka bërë edhe një vizitë në Shqipëri, e cila, për arsye të politikës së kohës, është mbajtur sekret. Ai që e ka zbardhur më vonë këtë vizitë dhe sidomos takimin Çe Guevarës me ish-kryeministrin shqiptar të asaj kohe, Mehmet Shehun, ka qenë diplomati Zeqi Agolli. Jam i pari, që duke i ruajtur anonimatin mbi dhjetë vjet, i kam marrë atij kujtimet mbi Çe Guevarën. Më pas ai është prononcuar edhe me gazetarë të tjerë.

Ja ç’më ka thënë mua Zeqi Agolli për takimin:

“Ishte fillimi i vitit 1960. Detyrën e kisha marrë tepër të përcaktuar: ta çoja në takim me kryeministrin shqiptar, Mehmet Shehu. Me aq sa mund të nuhasja unë në atë kohë, por edhe me gjithçka ngjau më vonë, vizita e Çe Guevarës ishte tepër konspirative. Ishte një vizitë, që kryhej, sa për mirësjellje, nga që nuk mund të refuzohej nga pala shqiptare. Ishte një vizite, siç mund ta gjykoj tani, për t’i dhënë mikut kuban një përvojë shqiptare, ndoshta për t’i korrigjuar ndonjë ide rreth mënyrës se si piqen e shpërthejnë natyrshëm revolucionet popullore. Aq konspirativ u mbajt ky takim, sa edhe sot e kësaj dite edhe personalitetet më në zë të ish Partisë Punës e të Shtetit  nuk dinë gjë!

Në këtë takim ishim të pranishëm vetëm katër vetë. Mehmet Shehu i tregoi mikut nga perla e Karaibeve, historinë e lavdishme të luftës antifashiste nacional – çlirimtare, rolin udhëheqës të Partisë Komuniste, kontributin e jashtëzakonshëm të Frontit Antifashist Nacional – Çlirimtar në bashkimin e popullit dhe mobilizimin e tij për luftë të armatosur kundër pushtuesve të huaj dhe tradhtarëve të vendit. Më pas Kryeministri shqiptar u ndal tek roli përcaktues i udhëheqjes së Partisë përmes shembullit konkret të masës së saj.

Në ekspozenë e tij Çe Guevara paraqiti një pasqyrë të shkurtër të asaj, që kishte çuar në përmbysjen e diktatorit Batista dhe në fitoren e revolucionit. Ndërkohë ai shfaqi disa nga pikëpamjet që kishte, lidhur me ndezjen e revolucionit dhe hedhjen e popujve në flaket e luftës për liri dhe drejtësi shoqërore. Çe Guevara, me sa kuptohej, rëndësi i kushtonte, gjatë ekspozesë, rolit përcaktues të revolucionarëve të vendosur dhe profesionistë, me ideale të mëdha, duke parë tek këta të fundit, faktorin numër një të përmbysjeve të mëdha revolucionare. Dhe shembull konkret jepte Kubën.

Nuk ishte e vështirë të kuptohej se midis bashkëbiseduesve ekzistonte një ndryshim jo i vogël në fushën e ngritjes së popujve në luftën për liri dhe drejtësi shoqërore. Gjithsesi, secili shpalosi pikëpamjet e tij, duke mos iu kundërvënë shokut, çka ndikoi për mirë në mbarëvajtjen e dialogut.

Në fund, Kryeministri shqiptar kishte përgatitur një dhuratë – surprizë. Çe Guevara e mori automatikun e dhuruar, u ul në gjunjë, e puthi armën dhe qetë – qetë, u ngrit në këmbë. Gjithçka u krye me një solemnitet tepër të veçantë.