Kryeministri Edi Rama gjatë një komunikimi në Facebook i është rikthyer çështjes së publikimit të listës së pagave në vend.
Ai tha se afati për kompanitë dhe bizneset që dyshohen për mos deklarim të pagave reale kanë afat deri më 20 janar për të “bërë vetë rregullim”.
Kreu i qeverisë tha se autoritetet tatimore u kanë dërguar letër të gjitha bizneseve që “rezultojnë të dyshuar për evazion fiskal” por edhe vetë punonjësve.
“Deklarimi i pasaktë dënohet me gjobë, por në rast hetimi për evazion është shkelje penale”, tha kryeministri.
Mos deklarimi i pagës reale sjell pasoja të rënda për skemën e pensioneve, por edhe për sigurinë në punë.
Vetë kryeministri Rama ceku vetëm pjesën ku vetë buxheti i shtetit dëmtohet duke e cilësuar “grabitje të skemës së pensioneve”.
Kryeministri nënvizoi se nga kjo sjellje e bizneseve “pamundësohet rritja e pensioneve”.
“Do të marrim masa realisht të dhimbshme për ata që nuk do të reagojnë për deklarimin e pasaktë të pagave”, tha Rama.
Qeveria e drejtuar nga Rama ka tentuar disa herë të luftojë këtë fenomen që publikimi i listës së pagave dëshmoi se është përhapur masivisht në Shqipëri.
Po publikimi i listës së pagave tregoi se përpjekjet e qeverisë deri tani kanë qenë jo efektive.
Hera e fundit që Rama premtoi luftë ndaj evazionit fiskal dhe punonjësve që nuk deklarohen ishte gjatë pandemisë.
Ai u zotua për “shpërblim” për punonjësit që denonconin punëdhënësin.
Sipas një raporti të Bankës së Shqipërisë situata është përkeqësuar pasi 40% e parave janë jashtë bankave dhe qarkullimi jashtë sistemit është rritur me 14.5% gjatë pandemisë.