Armando Broja është kthyer në idhullin e tifozëve të Southampton edhe pse është vetëm 20 vjeç dhe në sezonin e parë të tij në Premier League, ku deri tani ka arritur të realizojë 7 gola, 5 nga të cilët në kampionat.
Pas ndeshjes së të martës, ku sulmuesi shqiptar realizoi golin e tretë për skuadrën e tij në fitoren 4-1 ndaj Brentford, trajneri Ralph Hasenhuttl ka vlerësuar edhe njëherë tjetër shqiptarin, madje ka shprehur hapur dëshirën e tij për ta pasur talentin shqiptar edhe për të paktën një sezon në radhët e skuadrës së tij.
I pranishëm në stadiumin St Mary’s të martën ishte edhe serbi Dragan Solak, pronari i ri i Southampton, i cili pa nga afër cilësitë e 20-vjeçarit shqiptar.
Trajneri Hasenhuttl u shpreh pas takimit se ai do të flasë me Solak dhe do t’i kërkojë atij të mbajë edhe për të paktën një sezon Brojën te Southampton. “Sigurisht që do të bisedojë me Solak. Brojës i pëlqen këtu dhe do të ishte mirë nëse ai do të ishte lojtari ynë. Mendoj se ai dëshiron të qëndrojë me ne. Ju mund ta ndjeni këtë në çdo moment. Edhe tifozët tanë e pëlqejnë Brojën”, tha Hasenhuttl.
“Pronarët panë nga afër cilësitë e lojtarit. Ata e dinë se sa ekip i fortë është Brentford dhe nuk janë të shumta ekipet që mund të krijojnë kaq shumë raste ndaj tyre. Ishte një paraqitje shumë e mirë e skuadrës”, shtoi Hasenhuttl.