Sport Evra zbulon: Në çdo skuadër ka të paktën dy lojtarë gay. Por...

Evra zbulon: Në çdo skuadër ka të paktën dy lojtarë gay. Por nëse e thua je i mbaruar

Patrice Evra flet gjithmonë hapur. Ish-anësori i Manchester United, i Juventusit dhe i përfaqësueses franceze iu referua homoseksualitetit në botën e futbollit, një temë tabu për shumë njerëz. Ai e bëri këtë duke iu përgjigjur pyetjeve të lexuesve të “Le Parisien” me rastin e publikimit të autobiografisë së tij “I Love This Game” (E Dua Këtë Lojë).

“Disa nga kolegët më kanë thënë: Është kundër fesë sime, nëse ka një homoseksual në këtë dhomë zhveshjeje, ai duhet të largohet nga klubi. Kam luajtur me homoseksualët, më kanë folur, vetëm se kanë frikë të hapen publikisht. Ka të paktën dy homoseksualë për çdo ekip. Por, në futboll, nëse e deklaron këtë publikisht, ke mbaruar”.

Më tej, francezi kujton një episod që i ka ndodhur kur luante në Angli: “Kur isha në Angli, na sollën një person për t’i folur ekipit për homoseksualitetin. Disa nga shokët e mi të skuadrës thanë se nuk mund të luanin nëse kishte në dhomat e zhveshjes lojtarë homoseksualë.”

Evra iu referua edhe situatës së Mbappesë, të cilin e konsideron politikisht korrekt në sjellje.

“Do të doja të shihja Kylianin larg PSG-së. Kur e dëgjoj duke folur, më duket sikur po dëgjoj një politikan. Shpresoj që në fushë të mendojë për ekipin dhe jo për qëllimet e tij personale, sepse “ylli” është skuadra, jo një lojtar i vetëm”.