Serbët votuan të dielën në referendumin për ndryshimet kushtetuese ku u miratua një amendament kushtetues për të depolitizuar zgjedhjet e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se rreth 30 për qind e votuesve morën pjesë në referendum; me 61 për qind që votuan në favor të ndryshimeve, dhe 39 përqind kundër.
Në një vend ku gjyqësori shihet si i korruptuar dhe i kontrolluar politikisht, referendumi u përshëndet nga Bashkimi Evropian, SHBA dhe disa vende perëndimore si një hap në drejtimin e duhur.
Disa serbë të Kosovës u mblodhën të dielën në qendër të Mitrovicës së Veriut për të protestuar kundër vendimit të autoriteteve të Kosovës për të mos lejuar një referendum serb. Protesta u mbajtën edhe në disa komuna të tjera me shumicë serbe në Kosovë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç dënoi vendimin e autoriteteve të Kosovës për të mos lejuar votimin në territorin e Kosovës, duke theksuar se do të ketë pasoja.
Të shtunën, Kuvendi i Kosovës miratoi me 76 vota për rezolutën për ndalimin e mbajtjes së referendumit serb në Kosovë.
Sipas rezolutës, mbajtja e referendumit të Serbisë në Republikën e Kosovës, “cënon sovranitetin dhe rendin kushtetues”.