Robert Lewandowski fitoi çmimin “FIFA best 2021”, duke lënë pas Leo Messin dhe Momo Salah. Hera e dytë radhazi që bomberi i Bayern Munchen fiton këtë çmim, teksa ra në sy që Leo Messi nuk e zgjodhi ndër më të mirët.
Edhe pse tha fjalë të mira për sulmuesin bavarez pas fitimit të “Topit të Artë” për herë të shtatë duke deklaruar se Lewa e meritonte fitimin e çmimit prestigjioz, “pleshti” argjentinas votoi për Neymar, Mbappe dhe Benzema në ceremoninë e FIFA-s.
Diçka e tillë nuk i ka bërë përshtypje Lewandowskit, i cili tenton të shuajë polemikat e krijuara. “Duhet të pyesni Leon se pse votoi në atë mënyrë. Personalisht nuk kam bërë asgjë të keqe për ta inatosur.
Në planin sportiv është ndryshe, por në aspektin privat ai nuk ka asnjë shkak që të jetë i zemëruar me mua. Votimi është një vendim i tij, dhe unë e respektoj këtë gjë.
Edhe pse ai nuk është në anën time, pra nuk votoi për mua, unë nuk kam asgjë negative për të thënë, nuk jam i zemëruar”, deklaroi ylli i Bayern Munchen për SportBild.