Politika Gazeta greke: Rama, lavde të tepruara Erdoganit, të mos harrojë kush ia...

Gazeta greke: Rama, lavde të tepruara Erdoganit, të mos harrojë kush ia shuan zjarret çdo verë

Vizita e presidentit Erdogan në Shqipëri është tejet komentuar në mediat greke. Së fundmi, ‘Protothema.gr’ i ka kushtuar një artikull më të gjerë kësaj vizite, që sipas tyre u kritikua shumë nga shoqëria civile në Tiranë.

Në shkrim thuhet se vizita  e Erdogan, në pamje të parë dukej e matur dhe e argumentuar. Por sipas medias greke, kryeministri Rama po “luan i vetëm” e se takimi u shoqërua me komplimente të tepruara të tij për presidentin turk, të cikat janë shumë përtej kufijve të diplomacisë dhe kanë arritur kufijtë e personifikimit.

Aty shkruhet se Rama nxitonte të justifikohej për rastësinë e vizitës së Erdogan me përvjetorin e vdekjes së Skënderbeut.

Në fund ata i kujtojnë Ramës se është Greqia shteti që e ndihmon çdo verë për të shuar zjarret dhe që mbron hapësirën ajrore shqiptare.

Pjesë nga shkrimi:

“Dy gjëra kryesore kërkoi kryeministri shqiptar gjatë vizitës së presidentit turk: Mbështetje te dikush jashtë vendit pasi ai nuk ka një bazë të fortë përtej kufijve shqiptarë dhe presion mbi Evropën përmes Turqisë për të shkurtuar kohët e anëtarësimit të vendit të tij në Bashkimin Evropian.

Xhamia e Ethem Beut, e cila u përurua nga Erdogan në mënyrë solemne në qytetin e Laçit, është një “dhuratë pa vlerë” pasi shumica e shqiptarëve janë të orientuar drejt Perëndimit dhe jo ndaj së shkuarës.

Si përfundim, sa e suksesshme ishte kjo vizitë kur Erdogan direkt i kërkoi Ramës që t’i përgjigjej pozitivisht ndjeshmërisë së Turqisë për të çmontuar bërthamat e organizatës së Fethullah Gylenit dhe për t’i dorëzuar Turqisë anëtarët e saj.

Erdogani dorëzoi viktimave të tërmetit të 2019 shtëpitë e reja të ndërtuara të financuara nga vendi i tij. Investimet turke në territorin shqiptar vlerësohen në 3.5 miliardë dollarë, me më shumë se 600 kompani turke që operojnë në vend.

Është e drejtë e Edi Ramës të ketë marrëdhënie të shkëlqyera me Turqinë apo me çdo vend tjetër që do. Por nuk duhet të harrojë gjithashtu se kush mbron hapësirën ajrore të Shqipërisë dhe kush i shuan zjarret çdo verë në vendin e tij”.