Qielli i pastër i dimrit dhe perëndimi i diellit e çuan fotografen Simone Engels në një park në Vankuver, Kanada. Por teksa po fotografonte peizazhin e bregut të Paqësorit, ajo u trondit kur pa një formë të madhe, të ngjashme me një ajsberg në horizont.
“Ishte kjo strukturë e madhe, me shkëlqim”, tha ajo për The Guardian. “Dukej kaq e vërtetë.”
Engels, e cila më parë ka studiuar për gjeografi, u përpoq të gjente shpjegime të mundshme. Por nëse një ajsberg do të ishte në atë zonë – veçanërisht në atë madhësi – me siguri do të ishte përmendur nëpër lajme lokale, mendoi ajo me vete.
“Po përpiqesha të kujtohesha dhe me të vërtetë nuk mund të gjeja një shpjegim,” tha ajo. “Thjesht dukej kaq e çuditshme dhe isha pothuajse e bindur se ishte me të vërtetë një ajsberg.”
Pa askënd tjetër përreth për të konfirmuar pamjen misterioze, ajo shkrepi një foto dhe për gati gjysmë ore, pa formën e madhe të bardhë në horizont që të zhdukej nga sytë. Engels postoi foton në internet, me shpresën se do të merrte një shpjegim. Fotografia fillimisht tronditi vendasit – duke përfshirë një mik i cili është i specializuar në gjeomorfologjinë e akullit.
Imazhi u bë viral dhe Engels mësoi se ajsbergu misterioz ishte vërtet një mirazh. Iluzioni u shkaktua nga ajo që njihet si “mirazhi superior” i cili shkaktohet gjatë një përmbysjeje të temperaturës, kur një shtresë ajri e ngrohtë mbështetet në një shtresë ajri të ftohtë, duke përkulur rrezet e dritës poshtë.
“Ne jetojmë në disa kohë sfiduese tani në pandemi dhe është vërtet e rëndësishme që njerëzit të kuptojnë se ka mrekulli natyrore atje jashtë për t’u zbuluar,” tha ajo për përvojën.