Southamptoni është i bindur për aftësitë e Armando Brojës dhe është gati për të bërë një ofertë rekord për sulmuesin e Kombëtares së Shqipërisë. Por edhe sheikët e Newcastle janë interesuar për gjigantin nga Malësia e Madhe.
Armando Broja është 20 vjeç dhe ka vetëm 6 muaj që luan në Premier League, por kaq ka mjaftuar që të gjithë në elitën e futbollit anglez të hedhin sytë nga supertalenti shqiptar.
Pas Southampton, klub në të cilin shqiptari është i huazuar nga Chelsea, West Ham, Arsenal, tashmë janë sheikët e Newcastle që janë interesuar për gjigantin nga Malësia e Madhe.
TuttoMercatoWeb raporton se në zyrat e Chelsea-t është gati të mbërrijë një ofertë 30 milionë euro, plus bonuset, nga Southampton, ndërsa një tjetër ka arritur nga sheikët e Newcastle, me vlerë rreth 40 milionë euro.
Me paraqitjet e bëra, Broja i ka magjepsur të gjithë, duke dëshmuar se është një lojtar me shumë cilësi, i gatshëm për të shpikur gola nga hiçi, apo për të shërbyer për shokët e skuadrës në çdo lloj momenti.
Topi tani kalon tek Chelsea, që duhet të vendosë për fatin e Brojës. Blutë e Londrës i rinovuan kontratën sulmuesit në verë, duke nënshkruar për pesë sezone, por me afrimin e Romelu Lukakut e huazuan tek Southamton deri në fund të sezonit për t’i dhënë më shumë minuta. Trajneri Thomas Thuchel pak ditë më parë u shpreh: “Broja është lojtar i yni”, duke treguar se e ka në konsideratë paraqitjen e Brojës dhe do të jetë pikërisht ai i cili do të thotë fjalën e fundit nëse do e lërë Brojën që të transferohet përfundimisht tek “Shenjtorët”.
25 milionë paundë (30 milionë euro) nga Southamton është një shifër e konsiderueshme që me siguri do ta bëjë Chelsea-n të mendohet mirë, për shkak se bëhet fjalë për një lojtar që është vetëm 20 vjeç.
Palët janë në diskutime e sipër, megjithatë duket se “Blutë e Londrës” nuk kanë ndërmend ta lëshojnë lojtarin që në këtë merkato. Pas përfundimit të huazimit në verë, ai do të kthehet në klubin ku është rritur si futbollist dhe aty pritet të vendoset e ardhmja e Armando Brojës.